Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Një përplasje e re është shfaqur rreth reformës administrativo-territoriale, këtë herë nga brenda mazhorancës socialiste. Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, nga burgu i ka dërguar Kuvendit një letër të gjatë ku kundërshton mënyrën se si po procedohet me hartën e re dhe kërkon pezullimin e shqyrtimit përfundimtar të projektligjit.
Veliaj sqaron se nuk është kundër rishikimit të hartës territoriale në parim, por kërkon që procesi të mos vijojë pa u zhvilluar më parë një konsultim real me qytetarët dhe pa u qartësuar pasojat institucionale, financiare dhe administrative të ndryshimeve.
Projektligji i propozuar nga mazhoranca parashikon uljen e numrit të bashkive nga 61 në 46. Në rastin e Tiranës, harta e re parashikon zgjerimin e territorit të bashkisë me Rinasin, ndërsa në procesin e riorganizimit përfshihen edhe ndryshime të tjera territoriale.
Këshilli Bashkiak i Tiranës e ka miratuar më 29 shtator qëndrimin për hartën e re vetëm me votat e mazhorancës, pas disa orësh debati. Në të njëjtin proces, Veliaj nuk ishte i pranishëm, pasi SPAK kishte refuzuar kërkesën për t’i mundësuar pjesëmarrjen në mbledhje.
Tashmë, përmes letrës së dërguar Kuvendit, kryebashkiaku kërkon që procedura të ndalet dhe të rihapet konsultimi.
“Nuk jam kundër reformës, por jo kështu”
Në letrën e tij, Veliaj e nis qëndrimin duke theksuar se ndodhet përballë një situate ku duhet të shprehë publikisht një qëndrim edhe nëse ai nuk është i lehtë për t’u dëgjuar brenda shumicës politike ku bën pjesë.
“Jam pjesë e një shumice politike që ka marrë përsipër modernizimin e shtetit shqiptar, reformimin e institucioneve dhe afrimin e vendit me standardet europiane”, shkruan ai.
Por menjëherë më pas, kryebashkiaku vendos kufirin me mënyrën se si po zhvillohet reforma.
“Nuk kam një kundërshtim parimor ndaj rishikimit të hartës administrativo-territoriale. Ndryshimet demografike, ekonomike dhe sociale mund ta bëjnë një rishikim të tillë të nevojshëm. Por reforma administrativo-territoriale nuk është vizatimi i një harte të re”, argumenton Veliaj.
Sipas tij, reforma prek drejtpërdrejt autonominë vendore, përfaqësimin demokratik, kompetencat e bashkive, financat vendore dhe mënyrën se si qytetarët marrin shërbimet publike.
Kërkesa kryesore: Të pezullohet shqyrtimi
Në krye të nëntë kërkesave që i drejton Kuvendit është pezullimi i shqyrtimit përfundimtar të projektligjit.
Veliaj kërkon që më parë të zhvillohet dhe dokumentohet një konsultim real, paraprak dhe efektiv me popullsinë e zonave që preken nga ndryshimet.
Për të, konsultimi nuk duhet të zhvillohet pasi harta është përcaktuar, vetëm për të plotësuar një procedurë formale. Ai kërkon që konsultimi të bëhet në një fazë kur mendimi i qytetarëve mund të sjellë edhe ndryshimin e zgjidhjes së propozuar.
Kryebashkiaku kërkon gjithashtu që të bëhen publike metodologjia e konsultimit, informacioni që u është dhënë qytetarëve, pjesëmarrja, qëndrimet e shprehura dhe mënyra se si këto qëndrime janë reflektuar në hartën e re.
Një nga pikat konkrete ku Veliaj kërkon më shumë dokumentacion është përfshirja e Rinasit në territorin e Bashkisë Tiranë.
Ai kërkon një vlerësim të plotë territorial, demografik, administrativ dhe financiar për këtë ndryshim.
Sipas tij, duhet të përcaktohet qartë se çfarë ndodh me pasuritë, detyrimet, personelin, të ardhurat, shpenzimet dhe shërbimet publike pas kalimit të territorit.
Kërkesa e tij vjen pasi drafti i ri parashikon ndryshimin e kufijve të disa bashkive dhe kalimin e territoreve ndërmjet tyre. Në rastin e Tiranës, propozimi përfshin Rinasin, ndërsa raportimet mbi hartën e re kanë evidentuar edhe përfshirjen e Bërxullës dhe Domjes në territorin e kryeqytetit.
“Harta nuk mund të miratohet dhe më pas të vendoset si do të qeveriset”
Një nga kundërshtimet kryesore të Veliajt lidhet me faktin se projektligji i ri ndryshon jo vetëm kufijtë e bashkive, por edhe mënyrën se si konceptohet organizimi i tyre.
Ai vëren një mospërputhje mes projektligjit të ri dhe ligjit aktual për vetëqeverisjen vendore, duke argumentuar se duhet të ndryshohet paralelisht edhe ligji nr. 139/2015.
Sipas Veliajt, projektligji i ri vendos një strukturë të ndryshme nga ajo që parashikon ligji aktual për marrëdhënien mes bashkisë, njësive administrative, qyteteve dhe fshatrave.
Për këtë arsye, ai kërkon që modeli i ri institucional të jetë i qartë përpara miratimit të hartës.
“Përpara miratimit përfundimtar të hartës duhet të jenë të qarta pasojat e saj mbi kompetencat, funksionet, financimin, përfaqësimin, organizimin administrativ dhe ofrimin e shërbimeve”, shkruan Veliaj.
Sipas tij, në vend që territori të përcaktohet mbi bazën e modelit të vetëqeverisjes, modeli i qeverisjes të detyrohet t’i përshtatet një harte të vendosur paraprakisht.
Kundërshtimi për konsultimin me qytetarët
Një pjesë e rëndësishme e letrës i kushtohet nenit 108 të Kushtetutës, i cili lidhet me ndarjen administrativo-territoriale dhe marrjen e mendimit të popullsisë.
Veliaj argumenton se konsultimi nuk duhet të jetë thjesht një procedurë e zhvilluar pasi zgjidhja territoriale është përcaktuar.
Sipas tij, qytetarët duhet të kenë mundësi reale që qëndrimi i tyre të ndikojë në përmbajtjen e hartës.
“Kur Kushtetuta kërkon që qytetarët të dëgjohen, detyra jonë është të krijojmë kushtet që ata të flasin vetë dhe pastaj t’i dëgjojmë”, shkruan kryebashkiaku në fund të letrës.
Veliaj ngre pikëpyetje edhe mbi mënyrën se si do të funksionojë përfaqësimi proporcional i qyteteve në këshillat bashkiakë.
Projektligji parashikon një model ku përfaqësimi i qyteteve përbërëse lidhet me popullsinë e tyre. Kryebashkiaku kërkon që të përcaktohet qartë mekanizmi juridik dhe zgjedhor për këtë sistem.
Ai kërkon garanci për barazinë e votës dhe përfaqësimin e banorëve të fshatrave dhe njësive administrative.
Sipas tij, nuk mund të miratohet sot një parim i ri për përfaqësimin dhe të lihet për një ndërhyrje të ardhshme ligjore mënyra se si ai do të zbatohet.
Veliaj kërkon qartësi edhe për periudhën kalimtare
Një tjetër pikë e letrës lidhet me periudhën e tranzicionit nga harta aktuale te ajo e re.
Veliaj kërkon që të përcaktohet qartë se cilat organe do të kenë kompetenca, si do të administrohen pasuritë dhe detyrimet, si do të trajtohen buxhetet dhe personeli dhe si do të garantohet vazhdimësia e shërbimeve publike.
Ai kërkon gjithashtu që projektligji të harmonizohet me ligjin për vetëqeverisjen vendore.
Në pjesën përmbyllëse të letrës, Veliaj i drejtohet drejtpërdrejt shumicës politike ku bën pjesë.
Ai thotë se një mazhorancë që ka marrë përsipër reforma të thella institucionale nuk duhet t’i shmanget standardeve që kërkojnë konsultim, qartësi ligjore dhe respektim të autonomisë vendore.
“Besoj se shumica politike së cilës i përkas nuk duhet t’i druhet këtij standardi”, shkruan ai.
Veliaj shton se reformat duhet të jenë të qëndrueshme edhe përtej kohës kur një forcë politike ka shumicën parlamentare.
Letra përfundon me një deklaratë që përmbledh qëndrimin e tij ndaj procesit. Qytetarët duhet të dëgjohen përpara se të ndryshohen kufijtë e territorit.
“Nuk mund të them sot, në emër të qytetarëve të Tiranës, se ata janë pro apo kundër hartës së propozuar. Pikërisht këtë duhet të përcaktojë procedura kushtetuese, përmes një konsultimi që nuk zhvillohet për të konfirmuar formalisht një zgjidhje të gatshme, por për t’i dhënë popullsisë së prekur mundësinë reale që të ndikojë në të”, shkruan kryebashkiaku.



