back to top
16.5 C
Tirana
E premte, 8 Maj, 2026
spot_img
KreuDrejtësiaVeliaj në gjykatë: Jam nën presion të pandalshëm politik dhe juridik

Veliaj në gjykatë: Jam nën presion të pandalshëm politik dhe juridik

Seanca në Gjykatën Administrative për çështjen e kryebashkiakut të Tiranë, Erion Veliaj, është zhvilluar me dyer të mbyllura, pasi fillimisht ishte transmetuar live dhe më pas është ndërprerë transmetimi publik.

Në këtë seancë, Veliaj ka mbajtur një deklaratë të gjatë, ku ka pretenduar se prej më shumë se dy vitesh ndodhet nën një presion të vazhdueshëm politik, mediatik dhe juridik, që sipas tij ka sjellë pasoja të drejtpërdrejta në lirinë personale dhe ushtrimin e mandatit si kryebashkiak.

Deklarata e plotë e Veliajt në seancë

“I nderuar gjyqtar ju falënderoj për fjalën, por kjo vjen pas një shqetësimi, me vendimin e ndërmjetëm, prisja të kishte transparencë, ky proces ka lulëzuar në errësirë. KLP duhet të mbronte gazetarët, të mbronte veten e vet. KLP ka kthyer një përgjigje se kush është caktuar para nesh, të gjithë duhet të kërkonim transparencë, ka një palë që do errësirë dhe një palë që do dritë”, është shprehur Veliaj.

Ai ka vijuar më tej duke pretenduar se ndaj tij është ushtruar një presion i zgjatur dhe i shumëanshëm:

“Prej më shumë se dy vitesh, menjëherë pas zgjedhjes sime për herë të tretë si Kryetar i Bashkisë së Tiranës, jam vënë përballë një sulmi frontal, disproporcional dhe të pandalshëm politik, mediatik dhe juridik; një përplasje që, në përfundim të saj, arriti deri në heqjen e lirisë sime personale dhe në pamundësimin e ushtrimit të mandatit që ma besuan 160 mijë qytetarë të Tiranës.”

Sipas Veliajt, edhe vendimet e mëparshme gjyqësore nuk kanë sjellë ndryshim të situatës së tij.

“Madje, edhe pasi fitova formalisht mandatin tim në Gjykatën Kushtetuese, pas një përpjekjeje tjetër për ta shfuqizuar atë, unë vijoj të mbahem me këmbëngulje në paraburgim dhe izolim, ndërkohë që vetë ligjshmëria e burimit të atij pushteti penal ndodhet sot përpara kësaj gjykate për shqyrtim.”

Pretendime për kufizim të të drejtave

Në vijim të deklaratës, Veliaj ka theksuar se gjatë kësaj periudhe është hetuar çdo aspekt i jetës së tij personale dhe familjare.

Sipas tij, është ushtruar një proces i gjerë verifikimi “jo administrativ, por penal”, që ka tejkaluar standardet e proporcionalitetit.

“Është kontrolluar çdo aspekt i jetës sime. Është hetuar çdo dimension personal dhe familjar i imi. Mbi mua dhe familjen time është ushtruar, në thelb, një formë e plotë ‘vetingu’, jashtë çdo standardi normal proporcionaliteti”, ka deklaruar ai.

Veliaj ka shtuar se gjatë gjithë procesit ka bashkëpunuar me drejtësinë dhe nuk ka refuzuar asnjëherë përballjen me hetimin.

Ai ka pretenduar gjithashtu se i është kufizuar aksesi në dosje, komunikimi me avokatët dhe e drejta për të informuar publikun mbi çështjen.

“Paradoksi i procesit”

Në një pjesë tjetër të deklaratës, Veliaj ka folur për atë që e ka cilësuar “paradoks të procesit gjyqësor”, duke pretenduar se ndërsa është kërkuar që ai të vihet përballë drejtësisë, sot sipas tij po i kufizohet mundësia për një mbrojtje efektive.

“Sot që unë ndodhem përpara drejtësisë, me vullnetin e plotë për t’u përballur me të, paradoksi është se i njëjti mekanizëm duket se nuk do një përballje reale me drejtësinë, por një përballje të kufizuar, të kontrolluar dhe procedurialisht të cunguar.”

Ai ka shtuar se sipas tij, nuk i lejohet akses i plotë në dosje dhe as komunikim i plotë me mbrojtjen ligjore.

Seanca gjyqësore vijon pa praninë e medias dhe publikut, ndërsa çështja mbetet në shqyrtim nga gjykata.

Procesi ndaj Veliajt dhe pretendimet e tij për mënyrën e zhvillimit të hetimeve pritet të vijojnë të jenë në fokus të debatit publik dhe politik në ditët në vijim.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat