Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se është dakord që në zonën e Zvërnecit të realizohen investime të huaja, përfshirë projektin e diskutuar për zhvillim turistik në këtë zonë, duke u dakortësuar kështu me kryeministrin Edi Rama.
Në një prononcim për mediat, Berisha u shpreh se qëndrimi i tij pro investimeve të huaja nuk është i ri dhe se, sipas tij, interesi ekonomik i vendit duhet të ketë përparësi ndaj çdo debati politik.
“Para tre vitesh, kur u tha se do të vinte dhëndri i ish-presidentit Trump në atë kohë, unë kam thënë po. Reagimi im ka qenë plotësisht dakord, sepse i ka paratë. Arsyeja bazë pse kam thënë po ka qenë kjo, e lidhur me investimin”, u shpreh Berisha.
Ai shtoi se investimi në Zvërnec duhet parë si marrëdhënie private ekonomike dhe jo politike, duke theksuar se mbështetja për kapitalin e huaj është e domosdoshme për zhvillimin e vendit.
Berisha komentoi gjithashtu debatet mbi ndikimin e projekteve në zonat natyrore, duke i cilësuar disa kritika si hipokrizi.
“Sazani është tokë publike dhe është ofruar për investime. Zvërneci është tokë private në tërësinë e saj. Nuk prishet asgjë aty, është vetëm bimësi që mund të ruhet”, deklaroi ai.
Sipas tij, zhvillimi ekonomik nuk bie ndesh me mbrojtjen e mjedisit, duke shtuar se standardet europiane lejojnë ndërhyrje të kontrolluara në zona të mbrojtura.
“Mund të zhvillohen ndërtime në zona të mbrojtura, BE ka përcaktuar standarde sesi menaxhohen zonat e peizazhit. Nuk mund të ndërtojmë vetëm në shkëmbinj e përroje”, tha Berisha.
Ai përmendi gjithashtu shembuj si Thethi dhe Valbona, të cilat sipas tij ndodhen në parqe kombëtare dhe megjithatë janë të zhvilluara për turizëm, duke argumentuar se zhvillimi i kontrolluar është i pranueshëm.
Deklaratat e Berishës vijnë në një kohë kur projekti në Zvërnec vijon të jetë në qendër të debatit politik dhe publik në vend.



