Vetëm një muaj pas marrjes së detyrës, drejtori i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka ndërmarrë një valë të gjerë ndryshimesh në strukturat drejtuese, duke realizuar rreth 70 lëvizje në poste kyçe brenda institucionit me rreth 12 mijë efektivë.
Ndryshimet kanë ardhur në disa faza dhe kanë prekur kryesisht nivelet e dyta drejtuese në qarqe të rëndësishme si Tirana, Fieri, Lezha, Shkodra dhe Elbasani. Lëvizje janë regjistruar gjithashtu edhe në strukturat qendrore, përfshirë sektorin e Antiterrorit dhe atë Operacional, si dhe në drejtoritë kufitare.
Që në takimet e para me vartësit në terren, Hita ka dhënë një mesazh të qartë: mungesa e rezultateve nuk do të tolerohet. Ky qëndrim duket se ka shoqëruar edhe vendimet për ndryshimet e deritanishme në strukturë.
Dorëheqje dhe ndërhyrje selektive
Një nga rastet që ka sjellë pasoja të menjëhershme është ai i Lezhës, ku pas zbulimit të ambienteve të paligjshme të lojërave të fatit nga grupe të ardhura nga Tirana, drejtori vendor Islor Islami u detyrua të japë dorëheqjen.
Ndërkohë, ndërhyrjet në nivel komisariatesh kanë qenë më të kufizuara, por jo të papërfillshme. Në Peqin, një komisariat u shkri pas zbulimit të një ambienti të përshtatur si “shtëpi bari”, ndërsa lëvizje janë bërë edhe në Komisariatin nr. 2 në Tiranë.
Kufizimet ligjore dhe sfidat
Megjithatë, hapësira e veprimit të drejtuesit të Policisë nuk është e pakufizuar. Drejtorët e qarqeve janë emëruar përmes konkurrimit, bazuar në ndryshimet ligjore të viteve të fundit, çka e bën më të vështirë ndërhyrjen direkte në këto poste. Në këto raste, presioni për rezultate dhe përgjegjësia për performancën mbeten mjetet kryesore të menaxhimit.
Gara për drejtuesit e lartë
Një tjetër sfidë për drejtuesin e ri mbetet plotësimi i katër departamenteve kryesore në Drejtorinë e Përgjithshme, drejtuesit e të cilave duhet të zgjidhen përmes një procesi konkurrimi. Kjo garë është bllokuar që prej ndryshimeve ligjore të shtatorit 2024.
Procesi i mëparshëm u ndërpre pas padisë së ish-drejtoreshës së BKH-së, Aida Hajnaj, e cila kërkonte rikthimin në strukturat e Policisë së Shtetit. Sipas burimeve, gara pritet të rihapet në muajin qershor, duke hapur rrugën për emra të rinj në nivelet më të larta drejtuese.
Valë ndryshimesh dhe paralajmërime për rezultate më të larta sinjalizojnë një periudhë intensive reformimi në radhët e Policisë së Shtetit, ndërsa mbetet për t’u parë ndikimi i këtyre lëvizjeve në performancën e institucionit në muajt në vijim.



