back to top
8.5 C
Tirana
E shtunë, 19 Prill, 2025
spot_img
KreuAktualitetKosovaLirohen për mungesë provash 2 nga 16 serbët e ndaluar në Prizren/...

Lirohen për mungesë provash 2 nga 16 serbët e ndaluar në Prizren/ Qeveria kritika prokurorisë

Prokuroria Themelore e Prizrenit ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se dy qytetarë serbë të arrestuar më 6 prill në Prizren, janë liruar në mungesë të provave, duke nxitur reagime nga zyrtarë të lartë të Qeverisë në detyrë.

“Është konstatuar se aktualisht nuk ekziston dyshimi i bazuar, si standard i nevojshëm ligjor për të justifikuar paraqitjen e kërkesës për masën e paraburgimit apo ndonjë masë tjetër për sigurimin e pranisë së të pandehurve në procedurë”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Themelore të Prizrenit.

Këtë vendim, Prokuroria tha se e ka ndërmarrë pas ndalimit të të pandehurve për 48 orë dhe analizimit të të gjitha provave.

Ministrja e Drejtësisë në detyrë, Albulena Haxhiu, e kritikoi Prokurorinë për lirimin e tyre, dukë shkruar në Facebook se ata u liruan “pavarësisht provave të bollshme për t’i dërguar në paraburgim dhe hetim të mëtutjeshëm”.

Ajo nuk dha dëshmi për provat, por e përsëriti se ata “kishin lidhje të forta edhe me organizatorët dhe pjesëmarrësit e sulmit në Banjskë”.

Ministri i Punëve të Brendshme në detyrë, Xhelal Sveçla, e shpërndau reagimin e Haxhiut dhe e citoi një fjali të saj: “Nuk di cila forcë tjetër i ka liruar këta persona, sepse siç duket qartë forca e ligjit dhe e drejtësisë këtu nuk ka pasur peshë”.

Më 5 dhe 6 prill, në Prizren dhe Gjakovë, policia arrestoi 16 qytetarë serbë, përfshirë serbë nga Kosova dhe Serbia.

Sveçla tha më 6 prill se të ndaluarit po udhëtonin me katër automjete të ndara, të cilat kishin targa nga Kragujevci, qytet në Serbi.

Grupi i parë, sipas tij, i përbërë nga katër persona, u ndalua në Gjakovë.

Ndërkaq, 12 persona të tjerë u ndaluan në Prizren.

Sveçla tha se ata dyshoheshin se kishin për qëllim “mbledhjen e informacioneve për caqe të mundshme,” pasi sipas tij, ishin “gjetur dëshmi të ndërlidhjes me strukturat e inteligjencës serbe.”

Ministri Sveçla, në reagimin e tij, po ashtu tha se të arrestuarit kishin ndërlidhje me anëtarë të grupit të udhëhequr nga Milan Radoiçiq, që kryen sulmin e armatosur në shtator të vitit 2023 në Banjskë të Zveçanit.

Gjatë ndalimit të njërit grup në Gjakovë, policia gjeti një sëpatë, një thikë me këllëf dhe një thikë sharrë.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat