Nënkryetari i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, ka ngritur shqetësimin se mbi 466 mijë qytetarë me të drejtë vote në Shqipëri mund të mbeten jashtë procesit zgjedhor të 11 majit, për shkak të mungesës së dokumenteve të vlefshme të identitetit.
Në një deklaratë për media, ai e cilësoi vendimin e qeverisë për të zgjatur vlefshmërinë e dokumenteve vetëm për qytetarët jashtë vendit si diskriminues dhe antikushtetues.
Bylykbashi kërkoi nga qeveria shqiptare që të nxjerrë menjëherë një akt normativ për zgjatjen e vlefshmërisë së dokumenteve për të gjithë, me qëllim garantimin e së drejtës për të votuar. Ai i bëri thirrje edhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe organizatave ndërkombëtare si OSBE-ODIHR dhe Këshilli i Europës që të reagojnë ndaj kësaj situate.
DEKLARATË PËR MEDIA N/KRYETARI I PD, OERD BYLYKBASHISot janë 466 mijë shtetas me të drejtë vote të cilët nuk kanë një dokument të vlefshëm identiteti, as letërnjoftim, as pasaportë.
Qeveria Shqiptare zgjati vlefshmërinë vetëm për zgjedhësit që jetojnë jashtë Shqipërisë, duke diskriminuar ata që janë në Shqipëri.
I kërkojmë KQZ, si organi suprem në mbarëvajtjen e zgjedhjeve që të kërkojë me forcë pranë qeverisë në mënyrë që këta shtetas të kenë mundësi që të votojnë. Gjithashtu tërheqim vëmendjen e mekanizmave ndërkombëtarë për vëzhgimin e zgjedhjeve, siç është OSBE-ODIHR, OSBE-ja, Këshilli i Europës dhe çdo institucion tjetër ndërkombëtar, që të vënë në dukje këtë shkelje të të drejtave të shqiptarëve. Kjo të bëhet tani, menjëherë, në mënyrë që më 11 maj të gjithë shqiptarët të kenë të drejtën të shprehen për ndryshimin, për të ndryshuar këtë regjim autokratik.