back to top
22.5 C
Tirana
E enjte, 19 Qershor, 2025
spot_img
KreuAktualitet"Lufta", PS-PD zhvendoset në Komitetin e Stabilizim-Asociimit/ Debati mes deputetëve në Strasburg

“Lufta”, PS-PD zhvendoset në Komitetin e Stabilizim-Asociimit/ Debati mes deputetëve në Strasburg

Në takimin e radhës të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE–Shqipëri, deputetja e Partisë Socialiste, Evis Kushi, vlerësoi arritjet në sektorin e turizmit bregdetar, duke theksuar se Shqipëria synon të bëhet lidere në rajon në këtë fushë. Nga ana tjetër, deputeti demokrat Saimir Korreshi kritikoi ashpër qeverinë për lënien pas dore të bujqësisë dhe keqmenaxhimin e fondeve të BE-së.

Kushi: Turizmi është prioritet, Shqipëria e gatshme për drejtim rajonal

Duke folur për zhvillimet në turizëm, Kushi theksoi se reformat e qeverisë nuk janë vetëm teknike, por tregojnë vullnet politik për të ndërtuar një turizëm të qëndrueshëm dhe të përafruar me standardet e BE-së. Ajo nënvizoi se menaxhimi i sezonit turistik është transformuar përmes një modeli të ri bashkëpunimi mes qeverisjes qendrore dhe bashkive.

“Turizmi bregdetar është një nga pjesët kryesore të zhvillimit tonë. Kemi futur certifikimin dixhital të operatorëve detarë përmes e-Albania dhe vetëm në maj 2025 janë certifikuar 192 operatorë. Ky është një sinjal që Shqipëria është gati të jetë lidere në rajon për turizmin e rregulluar dhe të pastër,” – deklaroi Kushi.

Ajo shtoi se qeveria ka kufizuar privatizimet për të mundësuar më shumë investime publike në infrastrukturë dhe theksoi rolin e Task-Forcës për turizmin si instrument për reagim institucional dhe menaxhim të krizave sezonale.

Korreshi: Bujqësia është lënë në harresë, fondet janë bllokuar dhe shpërdoruar

Në të njëjtin takim, deputeti i opozitës Saimir Korreshi e akuzoi qeverinë për neglizhencë ndaj sektorit të bujqësisë, të cilin e quajti “vagoni i shkëputur nga treni i integrimit”.

“40% e fuqisë punëtore në Shqipëri merret me bujqësi, por qeveria nuk ka bërë asgjë për ta ndihmuar. Skemat janë preferenciale, oligarkët janë kthyer në pronarë serash, ndërsa fermerët e vegjël nuk kanë asnjë mundësi,” – tha Korreshi.

Ai theksoi se fondet IPARD II dhe III janë bllokuar për shkak të keqpërdorimeve, ndërsa bujqësia dhe blegtoria po zbehen çdo ditë. Ai solli si shembull faktin që fshatrat nuk prodhojnë më qumësht, por e blejnë në qytet.

“Nëse vërtet doni të hapni kapitujt e negociatave, filloni me bujqësinë. Sistemi i vaditjes është ende si në mesjetë,” – përfundoi ai me tone kritike.

Takimi në kuadër të Procesit të Stabilizim-Asociimit tregoi qasje të kundërta të mazhorancës dhe opozitës ndaj prioriteteve zhvillimore. PS e sheh turizmin si model të suksesit dhe drejtim të ardhshëm strategjik në rajon, ndërsa opozita i bën thirrje qeverisë dhe partnerëve europianë që të mos anashkalojnë bujqësinë si sektor jetik për ekonominë dhe integrimin.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat