Mirlind Daku e mbylli sezonin në elitën e futbollit rus me 15 gola të shënuar dhe i dyti në listën e golashënuesve më të mirë. Me paraqitjet në fushë, sulmuesi i Kombëtares bindi drejtuesit e Zenit St. Petersburg që ta blinin.
Akordi ishte fare pranë, me Rubin Kazan që do të përfitonte 8 milionë euro për kartonin, ndërsa për Dakun ishte gati paga 3 milionë euro në vit. Marrëveshja u prish në fund dhe aty nisën spekulimet, për të kuptuar arsyet.
Më i fundit që ka folur rreth transferimit të dështuar është trajneri i mirënjohur rus, Rinat Bilyaletdinov, që ka drejtuar Lokomotivën e Moskës dhe Rubin Kazan. Për “Gazeta.ru”, ai foli për një prapaskenë me natyrë politike dhe nacionaliste.
“Zeniti ka një bërthamë të fortë serbe në skuadër, Drkushiç, Erakoviç, ndoshta ishte vendimi më logjik që transferimi të mos realizohej. Për fat të keq janë fakte që nuk mund të mohohen”, tha Bilyaletdinov.
Në fakt, Vanja Drkusic, i cituar nga trajneri përfaqëson Slloveninë. Lojtarët serbë te Zeniti përveç Erakoviç janë Mimoviç dhe Zxhelar. Mes arsyeve të mundshme të përmendura nga mediat ruse për prishjen e akordit është edhe tatuazhi që Mirlind Daku ka në shpatull, dedikuar heroit të UÇK-së, komandant Agim Ramadanit, i njohur edhe si Katana.