Udhëheqësit e 32 vendeve anëtare të NATO-s, në përfundim të Samitit të Hagës, kanë miratuar një deklaratë që përmban zotimin për të rritur shpenzimet e mbrojtjes në 5% të Produktit të Brendshëm Bruto (PBB) deri në vitin 2035.
Në deklaratë, Aleanca riafirmon angazhimin për mbrojtjen kolektive sipas Nenit 5 të Traktatit të Uashingtonit, ku sulmi ndaj njërit konsiderohet sulm ndaj të gjithëve. Po ashtu, deklarata nënvizon mbështetjen e fuqishme për Ukrainën, duke e konsideruar sigurinë e saj si një pjesë kyçe të sigurisë euroatlantike, megjithëse nuk përmban një dënim të drejtpërdrejtë ndaj Rusisë, duke u përqendruar në “kërcënimin afatgjatë” që kjo e fundit paraqet.
Për realizimin e objektivit, vendet aleate do të ndajë të paktën 3.5% të PBB-së për shpenzime të drejtpërdrejta në mbrojtje, ndërsa 1.5% të tjera do të investohen në mbrojtjen e infrastrukturës kritike, qëndrueshmëri civile, inovacion dhe forcim të industrisë së mbrojtjes. Çdo shtet do të dorëzojë plane vjetore, ndërsa progresi do të monitorohet me rishikime të planifikuara për vitin 2029.
Deklarata gjithashtu përfshin një angazhim për avancimin e bashkëpunimit industrial, duke hequr barrierat tregtare dhe duke përdorur teknologjinë për të rritur kapacitetet kolektive.
Samiti i radhës do të mbahet në Turqi në vitin 2026, ndërsa ai pasues planifikohet të mbahet në Shqipëri, për të thelluar bashkëpunimin dhe angazhimin mes aleatëve.