Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, deklaroi se Kuvendi mbetet një mbështetës i palëkundur i institucioneve të drejtësisë së re, duke theksuar se Reforma në Drejtësi është një proces i pakthyeshëm dhe jetik për integrimin europian të vendit.
Duke folur në Tryezën e Diskutimit me temë “Vlerësimi i Arkitekturës Institucionale në funksion të Performancës dhe Integritetit të Prokurorisë së Posaçme”, Spiropali u ndal tek rëndësia e SPAK dhe GJKKO, të cilat sipas saj janë kthyer në shtylla të besimit publik dhe modele krahasimore për sistemin e drejtësisë.
“Kuvendi ka qëndruar dhe do të jetë në mbështetje të SPAK, jo mbi të, jo përpara tij, por përkrah tij,” u shpreh Spiropali. “Ndryshimi i arkitekturës së sistemit të drejtësisë ka garantuar një pavarësi të vërtetë nga politika, duke shembur kulturën e pandëshkueshmërisë që për dekada ka mbrojtur korrupsionin.”
Ajo theksoi se roli i Kuvendit është jo vetëm legjislativ, por edhe garant i ekuilibrave institucionale dhe mbështetës i institucioneve të drejtësisë përmes miratimit të burimeve financiare, materiale dhe njerëzore që u nevojiten.
Spiropali vlerësoi gjithashtu rezultatet e arritura nga SPAK në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivele të larta, duke theksuar se:
“Progresi në këtë pikë nuk është i lehtë, por është jetik. Pas çdo statistike fshihet një jetë njerëzore, një dramë familjare, një kosto sociale që e paguan e gjithë shoqëria.”
Kryetarja e Kuvendit nënvizoi se pavarësia dhe llogaridhënia janë dy shtylla thelbësore për funksionimin e drejtësisë, duke theksuar nevojën për sinergji midis tyre, në funksion të parimit “askush mbi ligjin, askush nën ligjin”.
Në përfundim, Spiropali përforcoi angazhimin institucional ndaj procesit të integrimit europian, duke e lidhur drejtpërdrejt suksesin e kapitullit negociues “Themeloret” me suksesin e reformës në drejtësi:
“Përshpejtimi i integrimit është edhe rezultat i integritetit dhe vendosmërisë së prokurorëve dhe gjyqtarëve për t’i dhënë fund njëherë e mirë kulturës së pandëshkueshmërisë.”