Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka sulmuar drejtueset e Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA), duke i cilësuar si “ndrikulla” dhe duke i krahasuar me persona të shkollës së talebanëve. Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur po komentonte raportin për lirinë e medias në Shqipëri, i cili evidenton probleme me pavarësinë dhe pluralizmin mediatik, si dhe ndikimin politik në institucionet rregullatore.
Berisha e përdori raportin për të akuzuar qeverinë se po e çon vendin drejt një sistemi autoritar, ku liria e shprehjes dhe pavarësia e mediave janë gjithnjë e më të cenuara. Sipas tij, shumica e mediave janë në mbështetje të qeverisë dhe pluralizmi mediatik po dobësohet.
Në veçanti, kreu i PD-së u ndal te vendimet e AMA-s për gjobitjen e disa mediave, duke kundërshtuar ndërhyrjet e institucionit në përmbajtjen e transmetimeve televizive. Ai përmendi një rast kur një studio televizive u gjobit pas një deklarate kundër kryeministrit Edi Rama, duke e konsideruar këtë si cenim të lirisë së shprehjes.
“Çojnë gjoba se fyhet Sulltani në studio”, deklaroi Berisha, ndërsa për drejtueset e AMA-s u shpreh se “me rekordin që kanë bërë, ato si me qenë të shkollës së talebanëve”.
Ai kritikoi gjithashtu mënyrën e emërimit të drejtuesve në AMA dhe RTSH, duke pretenduar se këto institucione janë nën ndikimin politik. Sipas tij, mediat po përballen edhe me presionin e grupeve të biznesit që kanë lidhje me politikën.
Në këtë kontekst, Berisha përmendi edhe shitjen e pronësisë së Top Channel, duke pretenduar se transaksioni është kryer përmes kompanive të regjistruara në Belize apo në Seychelles dhe duke ngritur pikëpyetje mbi ligjshmërinë e tij. Ai foli edhe për një shumë prej 9 milionë eurosh, pa paraqitur në deklaratën e tij dokumente që të mbështesin pretendimin.
Kreu i opozitës u ndal edhe te mungesa e ndëshkimit për sulmet ndaj gazetarëve, duke thënë se mosndëshkimi i tyre krijon terren për përsëritjen e rasteve të dhunës dhe kërcënimeve ndaj medias.
Deklaratat e Berishës u përqendruan te kritikat ndaj AMA-s dhe qeverisë, ndërsa raporti që ai citoi evidenton një sërë problematikash për lirinë e medias, përfshirë ndikimin politik në emërimet institucionale, përqendrimin e pronësisë mediatike dhe presionin e grupeve të biznesit.



