Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka rikthyer në vëmendje çështjen e pronësisë së televizionit Top Channel, duke pretenduar se televizioni është shitur për 9 milionë euro përmes kompanive të regjistruara në parajsa fiskale.
Gjatë deklaratës së tij, Berisha iu referua një transaksioni të raportuar në vitin 2023, kur u publikuan dokumente për një marrëveshje të shitjes së 100% të aksioneve të Top Channel kundrejt shumës prej 9 milionë eurosh.
“Thojuani shqiptarëve, sa herë shitet dhe blihet Top Tuneli, më thoni? A ka gjë më të turpshme se para një fushate zgjedhore shkon dhe shitet diku në Sejshell apo Belize, nga këta mafiozë, për të thyer çdo ligj, dhe i marrin në xhep 9 milionë? A janë të vërteta këto?”, deklaroi Berisha.
Por çfarë ka ndodhur konkretisht me pronësinë e televizionit?
Në mars të vitit 2023, CNA publikoi dokumente sipas të cilave, më 14 janar të atij viti, familja Hoxha kishte miratuar shitjen e të gjitha aksioneve të televizionit. Sipas dokumentacionit të publikuar, blerës ishte kompania “Western Media Conglomerate Investments LTD”, e regjistruar në Belize, ndërsa vlera e marrëveshjes ishte 9 milionë euro.
Dy ditë më vonë, CNA publikoi edhe kontratën e shitjes, ku si blerës identifikohej kompania “Western Media Conglomerate Ltd”, e regjistruar në ishullin e Nevisit, në Federatën e Shën Kristoforit dhe Nevisit. Dokumenti mbante firmat e anëtarëve të familjes Hoxha dhe përfaqësueses së kompanisë blerëse.
Megjithatë, edhe në raportimin e asaj kohe evidentohej se kontrata nuk rezultonte e regjistruar përfundimisht në Qendrën Kombëtare të Biznesit.
Të dhënat e regjistrit të biznesit, të përditësuara më 9 maj 2026, e paraqesin sërish shoqërinë “Top Channel” sh.a. si kompani aktive, me 100% të aksioneve në pronësi të Vjollca Hoxhës dhe katër fëmijëve të saj: Lorela, Sara, Redia dhe Itan Hoxha. Administratore e shoqërisë rezulton Lorela Hoxha.
Top Channel ka pasur edhe më herët një histori përplasjesh për pronësinë. Në vitin 2007, themeluesi Dritan Hoxha kishte shitur 60% të aksioneve te Albert Sino dhe Aurel Baçi. Pas vdekjes së tij, marrëveshja u kthye në një konflikt gjyqësor, i cili përfundoi në vitin 2017, kur Gjykata e Apelit njohu familjen Hoxha si pronare të të gjitha aksioneve të televizionit.
Dokumentet e publikuara në vitin 2023 provojnë ekzistencën e një marrëveshjeje të miratuar për shitjen e Top Channel për 9 milionë euro, por të dhënat e regjistrit të biznesit nuk konfirmojnë se kjo shitje u finalizua dhe ndryshoi pronësinë e kompanisë.



