back to top
9.5 C
Tirana
E shtunë, 28 Mars, 2026
spot_img
KreuDrejtësiaKontrata misterioze dhe 220 mijë euro në kasafortë/ Gentian Sula rrëfen të...

Kontrata misterioze dhe 220 mijë euro në kasafortë/ Gentian Sula rrëfen të vërtetën

Biznesmeni Gentian Sula, i njohur për lidhjet me kompaninë NOA, ka ndryshuar qëndrim gjatë hetimeve që po zhvillon SPAK për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, dhe bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa.

Gjatë kontrollit të ushtruar në dhjetor të vitit 2024 në kompanitë e Ajola Xoxës, hetuesit gjetën në kasafortën e studios ligjore “Partners Law” një shumë të konsiderueshme parash. Për të justifikuar këtë shumë, Ajola Xoxa lidh një kontratë shitblerjeje prone me Gentian Sulën. Në kuadër të hetimeve, SPAK mori në pyetje biznesmenin më 9 janar 2025.

Në këtë pyetje të parë, Sula ishte i paqartë dhe i tronditur, duke dhënë shpjegime kontradiktore lidhur me marrëdhënien e tij me Ajola Xoxën. Por, kur u pyet sërish më 5 qershor 2025, ai ndryshoi tërësisht qëndrim. Sula tha se në fillim kishte qenë i tronditur dhe nuk e kuptonte rëndësinë e deklarimeve të tij, por pas reflektimit, dëshiron të bashkëpunojë me drejtësinë dhe të tregojë të vërtetën.

Ai mohoi që të kishte marrë apo paguar shumën prej 220,000 eurosh, e cila ishte gjetur në kasafortën e “Partners Law” dhe për të cilën kishte depozituar një kontratë kapari datë 4 dhjetor 2024, për blerjen e një pasurie në rrugën Brigada VIII, mes tij dhe Ajola Xoxës.

Sula sqaroi se nënshkrimi i kontratës i ishte kërkuar si favor nga Ajola Xoxa dhe ai kishte pranuar, pa qenë i informuar për qëllimet apo rrethanat ligjore që lidhen me të. Ai tha se nuk kishte dijeni për problemet ligjore të Ajolës dhe se marrëveshja nuk ishte përpiluar prej tij.

Në deklaratën e tij, biznesmeni u përpoq të distancohej duke theksuar se është një biznesmen i ndershëm, tatimpagues i rregullt dhe nuk ka lidhje me asnjë veprimtari të jashtëligjshme. Ai kërkoi që emri dhe biznesi i tij të mos njollosen në këtë çështje.

Ndërkohë, SPAK ka përfunduar hetimet për kryebashkiakun Erion Veliaj dhe ka komunikuar akuzat zyrtare. Në total, në këtë çështje janë 30 të pandehur, duke përfshirë individë, kompani dhe organizata jofitimprurëse, ndër të cilët është edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa.

Hetimi vijon dhe pritet që të hedhë më shumë dritë mbi skemat e dyshimta financiare dhe pastrimit të parave që kanë përfshirë emra të njohur në biznes dhe politikë.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat