back to top
22.5 C
Tirana
E mërkurë, 15 Tetor, 2025
spot_img
KreuDrejtësiaDosja “Veliaj”/ Biznesmeni që firmosi kontratën me Ajola Xoxën mohon pagesën e...

Dosja “Veliaj”/ Biznesmeni që firmosi kontratën me Ajola Xoxën mohon pagesën e kaparit

Biznesmeni Gentian Sula është marrë sërish në pyetje nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) më datë 5 qershor 2025, në kuadër të hetimeve për dosjen “Veliaj”. Ai ka dhënë sqarime të reja lidhur me një kontratë kapari në vlerën 220,000 euro të nënshkruar me Ajola Xoxën, bashkëshorten e kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj.

Sula ka deklaruar se më herët, më 9 janar 2025, kishte dhënë një dëshmi për këtë çështje, por sipas tij, atëherë ndodhej në gjendje tronditjeje dhe paqartësie, çka e çoi në një deklarim të pasaktë. Ai ka theksuar se nuk kishte pasur qëllim të jepte të dhëna të rreme, por se kishte “improvizuar” për shkak të mungesës së qartësisë mbi rëndësinë ligjore të deklarimit.

“Kam reflektuar për gjithçka dhe dua të bashkëpunoj me drejtësinë. Nuk kam asgjë për të fshehur dhe dua të jetë e qartë se zhvilloj një biznes të ndershëm, paguaj taksat dhe nuk kam asnjë lidhje me veprimtari të jashtëligjshme,” është shprehur Sula para hetuesve të SPAK.

Në qendër të hetimeve është një shumë prej 220 mijë eurosh, e sekuestruar më 6 dhjetor 2024 në ambientet e shoqërisë “Partners Law” sh.p.k. në pronësi të Sulës. Kjo shumë rezulton të jetë pjesë e një kontrate kapari të lidhur më 4 dhjetor 2024 mes tij dhe zonjës Xoxa për blerjen e një prone në rrugën “Brigada VIII”.

Megjithatë, gjatë dëshmisë së fundit, Sula ka mohuar kategorikisht se ka porositur apo paguar ndonjëherë këtë shumë në cash. Ai ka deklaruar se kontrata nuk pasqyron të vërtetën dhe se e ka firmosur vetëm si “një favor për Ajola Xoxën”, pa qenë në dijeni se do të përdorej në institucione shtetërore apo ligjore.

“Kam pasur lëvizje të shpeshta jashtë shtetit dhe nuk isha në dijeni të problemeve ligjore të Ajolës. Nuk kam hartuar unë kontratën dhe nuk e dija pse i duhej,” ka theksuar ai.

SPAK po heton nëse kontrata është përdorur për të justifikuar origjinën e shumës së sekuestruar dhe nëse kemi të bëjmë me elementë të pastrimit të parave, mashtrimit me dokumente apo deklarimesh të rreme. Burime nga hetimi bëjnë me dije se dosja “Veliaj” është zgjeruar dhe pritet të thërriten për deklarime të tjera edhe persona të tjerë të lidhur me transaksionin dhe kontratën e kontestuar.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat