Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, ka reaguar në lidhje me diskutimet për ndryshimet në Kodin Penal, duke sjellë një analizë të detajuar mbi mënyrën se si duhet konceptuar dhe trajtuar penalisht korrupsioni. Në një shkrim të publikuar së fundmi, Manjani thekson se korrupsioni është një formë e veçantë e vjedhjes dhe duhet të konsiderohet si i tillë në mënyrë të drejtpërdrejtë në ligj.
Sipas tij, korrupsioni nuk mund të ekzistojë si vepër penale në mungesë të një pasurie të dhënë apo marrë konkretisht, duke argumentuar se “nuk ka korrupsion pa plaçkë, ashtu siç nuk ka vjedhje pa send të vjedhur”.
“Plaçka e korrupsionit, si në çdo vjedhje në këtë botë, ka njësi matëse. Është para apo pasuri dhe në ç’lloj formë e sasi gjendet. Kjo e bën korrupsionin të hetueshëm e gjykueshëm mbi bazë fakti, jo mbi fjalë,” shkruan Manjani.
Ai kritikon përdorimin e termave si “premtim”, “ofrim” apo “kërkim” në Kodin Penal si të pamjaftueshme për të ndërtuar përgjegjësi penale. Në qendër të veprës penale të korrupsionit, sipas tij, duhet të jetë vetëm akti faktik i dhënies ose marrjes së pasurisë.
“Nuk ka korrupsion me llafe në një sallë gjyqi. Kjo që ndodh sot, që me një fjalë goje akuzohesh e dënohesh për korrupsion pa dhënë e marrë asnjë qindarkë, është thashethem, jo vepër penale,” shprehet ish-ministri.
Një tjetër pikë që Manjani nënvizon është trajtim penal i atyre që japin ryshfet, të cilët në praktikë shpesh ndëshkohen njësoj si zyrtarët që përfitojnë. Ai e cilëson këtë si të padrejtë dhe në kundërshtim me logjikën juridike.
“Nëse ai që jep është viktima, llogjika ta do që kjo e fundit të mos dënohet por të mbrohet. Viktima duhet nxitur të denoncojë, jo të kriminalizohet,” shkruan ai, duke e quajtur të papranueshme kriminalizimin e qytetarëve që përballen me korrupsionin dhe paguajnë për të marrë një shërbim.
Në përfundim të analizës së tij, Manjani bën thirrje për një riformulim të qartë dhe racional të konceptit të korrupsionit në Kodin Penal, bazuar jo në dyshime apo fjalë, por në fakte konkrete dhe të provueshme.



