Ish-deputeti Myslim Murrizi ka reaguar lidhur me debatin e ditëve të fundit për godinën e televizionit News 24, e cila është rimarrë nga shteti dhe i është kaluar kompanisë shtetërore të prodhimit të armëve “Kayo” sh.a., pas një vendimi gjyqësor të formës së prerë.
Në një postim në rrjetet sociale, Murrizi ironizoi reagimet që, sipas tij, janë të mbushura me “hipokrizi” nga ata që sot “qajnë” për lirinë e medias, ndërsa në të kaluarën kanë heshtur për padrejtësitë e bëra ndaj qytetarëve të thjeshtë.
“Të kishit ‘qarë’ kaq shumë për mijëra shtëpi të prishura të fukarejve nga viti 2013, për qindra të burgosur se nuk paguanin dot faturën e elektrikut apo ndërtonin çatinë e shtëpisë, për qindra të tjerë në burg për një cigare hashash… Rama do kishte shkuar në PS qysh në 2017,” – shkruan ai.
Murrizi u shpreh se arroganca e shtetit ndaj çdo qytetari është e dënueshme, ashtu si edhe çdo ndërhyrje ndaj mediave dhe lirisë së fjalës, por theksoi se në Shqipëri “mediat janë biznes” dhe duhet të funksionojnë në pronat e tyre private, jo në pasuri të shtetit.
Ai i krahasoi pronarët e mediave që përdorin godina shtetërore me investitorët “strategjikë” që, sipas tij, marrin falas pronat publike për resorte private, ndërsa bizneset e tjera paguajnë qira të larta.
“Tani a mund të ma shpjegojë ndonjë qarës apo qurash hipokrit se News 24 i është hequr licenca si TV apo i ka mbaruar ‘kontrata e qirasë’ së Qeverisë për godinën? Po Eni Vasili që sot është e dërguara e News 24 në krye të TVSH-së, çfarë mendon për këtë ‘sulm’? Apo kjo ka porosity sulmin që të mos ketë rivalë?”, – shkruan Murrizi.
Reagimi i tij vjen pas përplasjes publike mes Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe kompanisë “Panaroma Group” sh.a., pronare e televizionit News 24, mbi pronësinë dhe përdorimin e godinës.