Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Antoneta Sevdari është rikthyer në Këshillin e Lartë të Prokurorisë (KLP), pasi është zgjedhur këtë të premte si një nga përfaqësueset e Prokurorisë së Përgjithshme në këtë institucion.
Rikthimi i Sevdarit në KLP vjen pas një beteje të gjatë ligjore për rikthimin në sistemin e drejtësisë. Ajo është magjistratja që fitoi në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg, pasi kundërshtoi vendimin e shkarkimit nga sistemi i drejtësisë në kuadër të procesit të vettingut.
Vendimi i Strasburgut i hapi rrugën rikthimit të saj në sistem, duke e bërë rastin e Sevdarit një nga çështjet më të veçanta të procesit të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Shqipëri.
Zgjedhja e anëtarëve të rinj të KLP-së
Mbledhja e sotme në ambientet e Polit të Drejtësisë ka në fokus zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, të cilët do të zëvendësojnë anëtarët që përfundojnë mandatin gjatë vitit 2026.
Në këtë proces parashikohet zëvendësimi i Sokol Stojanit, përfaqësues i Prokurorisë së Përgjithshme, Ledina Rizës, përfaqësuese e prokurorive të apelit, dhe Zeqir Hodës, përfaqësues i prokurorive të shkallës së parë.
Ndryshimet në përbërjen e KLP-së vijnë në një moment të rëndësishëm për institucionin, pasi Këshilli është përgjegjës për procesin e përzgjedhjes së kandidaturave për Prokuror të Përgjithshëm.
Zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm, procesi u zhbllokua më 8 tetor
Procesi për përzgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm ka qenë i bllokuar për disa javë për shkak të kërkesave të ndërsjella për përjashtimin e anëtarëve të KLP-së nga vendimmarrja.
Më 8 tetor 2026, Këshilli rrëzoi me shumicë votash kërkesat për përjashtim, duke i hapur rrugë vijimit të procedurës për vlerësimin e kandidatëve.
Në garë për postin e Prokurorit të Përgjithshëm janë pesë kandidat: Adnan Xholi, prokuror në SPAK; Arta Marku, ish-Prokurore e Përgjithshme e Përkohshme; Fatjona Memçaj, prokurore në Eurojust; Rovena Zoto, prokurore në Tiranë; dhe Ylli Pjetërnikaj, pedagog dhe prokuror.
Procesi ishte bllokuar pas kërkesës së kandidatit Ylli Pjetërnikaj për përjashtimin e anëtarit Vatë Staka dhe kërkesave të tjera që pasuan mes anëtarëve të Këshillit.
Rikthimi i Antoneta Sevdarit në KLP dhe ndryshimet në përbërjen e institucionit zhvillohen në një periudhë kur Këshilli duhet të vijojë procedurat për zgjedhjen e drejtuesit të ri të Prokurorisë së Përgjithshme.



