Ministria e Drejtësisë ka nisur diskutimet për konsultimin publik të draftit të Kodit të ri Penal. Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, tha se janë marrë në konsideratë të gjitha kritikat dhe sugjerimet e ardhura pas publikimit të draftit më 25 korrik.
Sipas tij, procesi i konsultimit do të zhvillohet nëpërmjet 25 tryezave publike, të cilat do të nisin në mesin e muajit shtator. Në përgatitjen e draftit janë përfshirë edhe ekspertë italianë, ndërsa Manja theksoi se roli i ministrisë është ai i porositësit të draftit, në kuadër të detyrimeve të negociatave me Bashkimin Europian.
“Që nga 25 korriku e gjatë gjithë verës ka pasur analiza, debate, komente dhe shqetësime mbi disa aspekte teknike të draftit. Kemi mbajtur shënim çdo gjë, por për hir të së vërtetës, numri i komenteve të ardhura ka qenë i vogël,” – u shpreh Manja.
Ministri nënvizoi se Kodi i ri Penal nuk do të miratohet pa miratimin e Brukselit, duke shtuar se objektivi i Shqipërisë është anëtarësimi në BE brenda vitit 2030.
“Shqipëria do të ketë një Kod të ri vetëm pas një procesi të gjerë konsultimesh të brendshme dhe vetëm pasi të marrë vulën e Brukselit. Ky Kod do të jetë ekuivalent me ata të BE-së,” – tha Manja.