back to top
17.5 C
Tirana
E premte, 10 Prill, 2026
spot_img
KreuAktualitetNga 12 tetori, pa vula pasaportash/ Si do të udhëtojnë qytetarët shqiptarë...

Nga 12 tetori, pa vula pasaportash/ Si do të udhëtojnë qytetarët shqiptarë drejt BE-së?

Bashkimi Evropian po nis një prej reformave më të mëdha të kontrollit kufitar në dekada. Duke filluar nga 12 tetori 2025, vulat tradicionale të pasaportave do të hiqen gradualisht dhe do të zëvendësohen me një sistem modern elektronik– Sistemin e Hyrje/Daljeve (EES – Entry/Exit System).

Çfarë është EES?

EES është një sistem dixhital biometrik, i cili do të regjistrojë automatikisht të dhënat e udhëtarëve që nuk janë shtetas të vendeve të BE-së, sa herë që ata hyjnë ose dalin nga zona Shengen për një qëndrim afatshkurtër.

Në vend të vulës në pasaportë, sistemi do të ruajë:

Gjurmët e gishtërinjve

Fotografinë e fytyrës (biometrike)

Datën e hyrjes dhe daljes nga territori i BE-së/Shengenit

Ky regjistër do të mbahet për 3 vjet, duke e bërë rihyrjen më të shpejtë për ata që kanë udhëtuar më parë.

Cilët udhëtarë preken?

Sistemi zbatohet për të gjithë ata që konsiderohen “shtetas të vendeve të treta”, pra persona që, nuk kanë pasaportë të ndonjë vendi të BE-së apo nuk janë shtetas të Islandës, Lihtenshtajnit, Norvegjisë ose Zvicrës.

Në praktikë, kjo do të thotë se të gjithë qytetarët nga SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Australia, Ballkani Perëndimor dhe vende të tjera jo-anëtare të BE-së, që hyjnë në zonën Shengen për një periudhë deri në 90 ditë, do të duhet të regjistrohen në EES.

Vendet ku zbatohet

Sistemi do të përdoret në të gjitha 29 vendet e zonës Shengen, përfshirë Gjermaninë, Francën, Italinë, Spanjën, Greqinë, Kroacinë, Poloninë, Suedinë, Zvicrën dhe Norvegjinë. Përjashtim bëjnë Irlanda dhe Qiproja, që për momentin do të vazhdojnë të kontrollojnë pasaportat manualisht.

Pse po vendoset ky sistem?

Sipas Bashkimit Evropian, EES ka disa qëllime kryesore:

Rritjen e sigurisë kufitare duke u dhënë autoriteteve më shumë informacion mbi hyrjet dhe daljet

Parandalimin e imigracionit të paligjshëm

Përshpejtimin e procedurave në kufi, duke shmangur mbushjen e pasaportave me vula

Identifikim më të saktë të udhëtarëve përmes biometrisë

Në të ardhmen, sistemi pritet të lidhet edhe me ETIAS ,një leje udhëtimi elektronike për vizitorët jo-BE, që do të kërkohet për hyrjen në Shengen.

Në hyrjen e parë, procesi mund të zgjasë disa minuta më shumë, pasi kërkohet regjistrimi i të dhënave biometrike. Megjithatë, në udhëtimet pasuese, identifikimi do të bëhet më shpejt përmes skanimit të fytyrës ose gishtërinjve.

Ekspertët paralajmërojnë se muajt e parë mund të shoqërohen me radhë dhe vonesa, por pasi sistemi të stabilizohet, kalimi pritet të jetë më i shpejtë se me vulat tradicionale.

12 tetor 2025 nis implementimi i sistemit në disa pika kufitare dhe  me 10 prill 2026 EES pritet të jetë plotësisht funksional në të gjithë zonën Shengen.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat