Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, ka dhënë një deklaratë kritike lidhur me Kodin e Ri Penal, duke theksuar se aktualisht nuk ka informacion të mjaftueshëm për të bërë një vlerësim të plotë të tij.
Sipas Çelës, në mungesë të një metodologjie të qartë, nuk është e mundur të përcaktohet nëse ndryshimet e propozuara pasqyrojnë realisht nevojat e shoqërisë. Ai shton se argumentet e dhëna deri tani për ndryshimin e kodit, përfshirë faktin që Kodi i Ri Penal daton nga viti 1995 dhe kërkesat për integrim në Bashkimin Evropian, nuk janë të mjaftueshme.
“Ka pasur nevojë për risistemim dhe përmirësim ku është e mundur, por jo të ndryshosh bazat,” tha Çela. Ai shtoi se nuk është në gjendje të bëjë një vështrim kritik të draftit me funksion përmirësimi, për shkak të mungesës së kohës dhe kapaciteteve, duke nënvizuar nevojën për ngritjen e një grupi pune të specializuar.
“Unë shoh fillimin e problemeve sa i përket konceptimit të një procesi të ndërtimit të një legjislacioni kaq të rëndësishëm, këto janë bazat e shoqërisë, jo vetëm për shtetasit shqiptarë por edhe ata që jetojnë këtu. Është një ligj mjaft i rëndësishëm. Kjo pikënisje përcakton metodologjinë për rrëfimin e kodit. Deri në 2024, nuk kemi raportuar për probleme serioze të zbatimit të Kodit Penal’’, u shpreh ai.
Deklarata e tij nxjerr në pah shqetësimet e prokurorisë lidhur me procesin e hartimit të Kodit Penal, duke nënvizuar rëndësinë e një analize të thellë dhe të bazuar në të dhëna për të garantuar që ligji i ri të shërbejë në mënyrë efektive interesit të shoqërisë.