Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, do te jete në protestën gjithëkombëtare që do të mbahet më 17 tetor 2025 në Tiranë, në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) që po gjykohen në Gjykatën e Hagës. Lajmi është bërë i ditur nga Hysni Gucati, kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), gjatë një konference për media.
Në këtë tubim, që do të zhvillohet në orën 17:00 në Sheshin “Skënderbej”, pritet të marrin fjalën ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, dhe kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) të Maqedonisë së Veriut, Ali Ahmeti. Nga Kosova, pritet të nisen mbi 60 autobusë me qytetarë që do t’i bashkohen protestës.
Kryeministri Rama ka shpërndarë një ftesë publike për pjesëmarrje në këtë ngjarje, duke theksuar se “Liria ka emër” dhe duke inkurajuar qytetarët të bashkohen për të kërkuar drejtësi për ish-krerët e UÇK-së.
Protesta është organizuar nga OVL-UÇK dhe ka mbështetje nga partitë politike në Kosovë, si Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), si dhe nga qytetarë dhe institucione nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Presheva dhe Bujanoci.