Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave janë miratuar disa ndryshime në përbërjen e institucioneve qendrore, me emërime të reja dhe lirime nga detyra në disa ministri.
Sipas vendimeve të marra, Vilma Premti është emëruar zëvendësministre për Evropën dhe Punët e Jashtme, ndërsa Elona Hoxha do të mbajë detyrën e zëvendësministres së Drejtësisë.
Në kabinetin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, është emëruar Besjan Kadiu si zëvendësministër, ndërsa Fatmir Guri do të ushtrojë detyrën e zëvendësministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
Ndërkohë, Këshilli i Ministrave ka vendosur të lirojë nga detyra disa zëvendësministra aktualë:
Silda Çepe, zëvendësministre për Evropën dhe Punët e Jashtme;
Ana Kapaj, zëvendësministre e Arsimit dhe Sportit;
Klajd Karameta, zëvendësministër i Drejtësisë.
Këto ndryshime pritet të reflektojnë një riorganizim në drejtimin politik të ministrive përkatëse dhe të forcojnë punën në fushat që mbulojnë.