back to top
10.5 C
Tirana
E martë, 21 Tetor, 2025
spot_img
KreuDrejtësiaKandidatura e pavarur që sfidon politikën/ Vishaj kërkon postin e Avokatit të...

Kandidatura e pavarur që sfidon politikën/ Vishaj kërkon postin e Avokatit të Popullit

Avokati i njohur Saimir Vishaj ka shpallur kandidaturën e tij për postin e Avokatit të Popullit. Në një lidhje direkte për “Studio Live” me Ermal Qorin, Vishaj bëri të ditur se po përgatit të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për ta dorëzuar brenda afatit ligjor.

Ai u shpreh se është një kandidat i pavarur dhe serioz, pa lidhje politike me ndonjë parti. Duke komentuar kandidaturat e tjera, Vishaj vuri në dukje se disa prej tyre janë “të djegura” për shkak të lidhjeve të tyre politike, duke theksuar se motoja e tij është: “Askush mbi ligjin.”

“Duke parë shpalljen e vakancës, kam vendosur të paraqes kandidaturën time. Përvoja ime 35-vjeçare në sistemin e drejtësisë më ka dhënë mundësinë të njoh shumë njerëz nga të gjitha fushat, pasi gjithmonë kam respektuar të drejtat dhe liritë, pa marrë parasysh përkatësinë politike të tyre. Jam i vendosur të përfaqësoj denjësisht institucionin e Avokatit të Popullit,” tha Vishaj.

Ai shtoi se dorëzimi i dokumentacionit do të bëhet pranë Komisionit të Ligjeve, ku më pas do të sigurojë 28 firma të deputetëve për të kaluar në fazën e parë të procedurës. “Kandidatët e tjerë mund të kenë CV të shkëlqyera, por lidhja e tyre me partitë politike e dobëson pozicionin në këtë institucion. Unë kam vetëm ligjin si armë,” deklaroi ai.

Posti i Avokatit të Popullit mbahet aktualisht nga Erinda Balanca, mandati i së cilës ka përfunduar në maj të vitit 2022, por ajo vazhdon të qëndrojë në detyrë deri në zgjedhjen e pasardhësit. Vakanca është shpallur që në legjislaturën e kaluar, ndërsa përpjekjet për të gjetur një emër konsensual mes PS dhe PD kanë dështuar disa herë për shkak të nevojës për 84 vota në Kuvend.

Edhe pse PS ka tashmë 83 vota, me tre mandatet e PSD-së mund të zgjedhë Avokatin e Popullit pa pjesëmarrjen e PD-së. Deri tani, figura të spikatura si Vitore Tusha, Bledar Dervishaj, Tartar Bazaj, Besim Ndregjoni, Dardan Mustafaj, Edison Frangu dhe Erald Aga janë propozuar, por ende nuk ka një marrëveshje mes dy forcave kryesore politike për votimin e tyre.

Vishaj u shpreh optimist për kandidaturën e tij dhe bëri të ditur se po e ndjek procesin me kujdes, duke theksuar përkushtimin ndaj pavarësisë së institucioneve dhe respektin për ligjin si parimin kryesor të punës së Avokatit të Popullit.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat