Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi me banorët e Njësisë nr. 3 në Tiranë, deklaroi se lufta kundër korrupsionit në Shqipëri është më e forta që është zhvilluar ndonjëherë, duke theksuar se kjo është meritë e vullnetit politik të Partisë Socialiste dhe jo e institucioneve të drejtësisë në vetvete.
Rama u shpreh se SPAK-u funksionon i pavarur vetëm falë mbështetjes së PS-së, duke theksuar se kjo qasje ka sjellë edhe kosto politike për partinë në pushtet.
“Nuk është luftuar kurrë korrupsioni si sot. Nuk e lufton SPAK, por vullneti i kësaj force politike që i dha pavarësinë drejtësisë dhe që e mbron edhe me koston e paguar në lëkurën e vet,” – tha Rama.
Ai iu referua rastit të kryebashkiakut të arrestuar, duke theksuar se, pavarësisht se ende nuk ka një vendim gjyqësor, PS-ja nuk ndërhyn dhe nuk proteston, pikërisht për të ruajtur pavarësinë e drejtësisë.
“Ka një njeri në burg pa gjyq, është kosto. Por ne as nuk protestojmë, as nuk ngremë zërin. Çdo ngacmim ndaj SPAK-ut i bën dëm vendit për të nesërmen,” – tha Kryeministri.
Sipas Ramës, çdo përpjekje për të penguar luftën kundër korrupsionit rrezikon proceset e integrimit europian.
“Nëse u deshën më shumë se 100 vjet që të fillonte kjo luftë, nëse e ngacmojmë, do ta shtyjmë edhe 20 vjet të tjera dhe ta harrojmë tryezën e BE-së. Për vite kishim damkën e pandëshkueshmërisë,” – theksoi ai.
Rama nënvizoi se qeveria do të vazhdojë të mbështesë institucionet e drejtësisë, pavarësisht kostove politike, duke e quajtur këtë rrugën e vetme për të shkëputur vendin nga kultura e pandëshkueshmërisë.



