Komisioni i Ekonomisë u mbledh këtë të martë për një seancë dëgjimore me grupet e interesit lidhur me paketën fiskale, ku fermerë dhe përfaqësues të sektorit të blegtorisë shprehën shqetësimet dhe kërkesat e tyre për mbështetje ligjore dhe fiskale.
Gentjan Lalaj, përfaqësues i shoqatës së blegtorëve dhe prodhues të qumështit, theksoi se sektori ka vështirësi të mëdha në tregtim, për shkak të barrierave fiskale dhe mungesës së kooperativave funksionale. Ai kërkoi vendosjen e një barazimi të TVSH-së dhe mundësinë që blegtorët vendas të shesin prodhimet e tyre.
“Është një paradoks: kërkohet qumësht nga Italia, por ne nuk e shesim dot atë sepse nuk na lejohet të krijojmë një kooperativë. Për këtë arsye, disa produkte dërgohen jashtë vendit. Ka ferma që nuk u merret qumështi për arsyet që dihen mirë. Kërkojmë barazim TVSH, sepse sot nuk mund të blejmë prodhimet shqiptare dhe detyrohemi të importojmë misër dhe elb nga Serbia”, tha Lalaj.
Ai shtoi se krijimi i kooperativave mbetet i vështirë për momentin. “Bashkimi i fermerëve është i parealizueshëm: sot nuk bashkëpunojnë as dy vëllezër, e jo më grup prej shtatë blegtorësh. Kooperativa nuk funksionon në blegtori për shkak të humbjeve dhe mungesës së transparencës për vendndodhjen e produkteve”, theksoi Lalaj.
Në mbështetje të këtyre kërkesave u shpreh edhe deputeti i PS, Erion Braçe, i cili tha se propozimet e blegtorëve janë bërë edhe më parë, por nuk janë marrë parasysh nga Ministria e Bujqësisë dhe ajo e Ekonomisë.
“Problemi nuk ka të bëjë me koston për buxhetin e shtetit, por me rregullimet në sistemin ekzistues. Koha kalon, lopët humbin vlerën prodhuese, fermat digjen ose përmbyten. Këto propozime nuk kanë asnjë kosto shtesë, por nuk po zbatohen,” tha Braçe, duke shtuar se ministrat duhet të reflektojnë për të shmangur humbjet në sektorin e blegtorisë.
Seanca dëgjimore vijon, ndërsa grupet e interesit presin që Ministria e Bujqësisë dhe ajo e Financave të shqyrtojnë mundësinë e ndryshimeve që do të mbështesin blegtorët dhe prodhimin vendas.



