Deputeti i Partisë Liberal (PL), Edmond Haxhinasto, ka folur për gjendjen e ish-presidentit Ilir Meta, i cili ndodhet në qeli prej më shumë se një viti.
Në një intervistë në News24, Haxhinasto tha se ka komunikuar dhe vizituar Metën, duke përshkruar gjendjen e tij si pozitive dhe energjike. Ai shtoi se ish-presidenti vazhdon të ndjekë zhvillimet politike dhe izolimi nuk e ka penguar aftësinë e tij për të udhëhequr.
“Kam komunikuar me zotin Meta, brenda mundësive të reduktuara që kemi. E kam parë edhe në dhomat e izolimit në burg. Meta është në gjendje shumë pozitive, shumë të karikuar.
Di që ka një angazhim të jashtëzakonshëm për ndjekjen e zhvillimeve politike, me mendjen e tij të mprehtë bën analizat që vetëm ai di të bëjë, dhe izolimi i tij nuk është pengesë për të penguar aftësinë e tij të shquar si lider i spikatur. Na drejton nga qelia, padiskutim,” u shpreh Haxhinasto.
Deputeti i PL-së theksoi se Meta vazhdon të mbetet aktiv dhe i përqendruar në analizat politike dhe zhvillimet brenda vendit. Sipas Haxhinastos, ish-presidenti nuk ka humbur influencën e tij dhe vazhdon të udhëheqë përmes mendimit të tij strategjik, pavarësisht kufizimeve fizike që i imponon burgu.



