Komisioni për Ekonominë, Punësimin dhe Financat u bë skenë e një debati të fortë mes deputetëve Agron Shehaj dhe kryetares së komisionit, Milva Ekonomi.
Shehaj kërkoi të merrte fjalën gjatë seancës, por Ekonomi i bëri me dije se prioritet kanë anëtarët e përhershëm të komisionit, ndërsa anëtarët zëvendësues duhet të presin radhën. Shehaj kundërshtoi, duke deklaruar se ai është anëtar i komisionit, ndërsa kryetarja i ripërsëriti se ai është anëtar zëvendësues.
Debati u tensionua kur ndërhyri edhe deputeti socialist, Erion Braçe, duke ngritur tonet dhe duke u përplasur me Shehajn. Kryetarja Ekonomi e mbajti qëndrimin e saj, duke theksuar se Shehaj nuk kishte marrë pjesë në seancat paraprake dhe se fjalën do ta merrte pasi situata të sqarohej.
Shehaj u shpreh i pakënaqur nga ndërprerja e fjalës së tij dhe kritikoi mënyrën e menaxhimit të komisionit, ndërsa Braçe reagoi me tone të ashpra, madje duke kërkuar fikjen e mikrofonit të Shehajt.



