Komisioni i Ligjeve është mbledhur këtë të mërkurë për të diskutuar dhe miratuar hapjen e procedurës së aplikimit për vendin vakant të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, vakancë e krijuar pas përfundimit të mandatit të ish-gjyqtares Elsa Toska.
Kryetari i Komisionit, Ulsi Manja, sqaroi gjatë fjalës së tij se mandati i Toskës, e cila u emërua në vitin 2017, përfundon në vitin 2025, sipas afateve kushtetuese të ripërtëritjes së gjyqtarëve me 1/3. Ai shtoi gjithashtu se mandati i gjyqtares Bejtja, e cila u emërua në 2020, do të përfundojë në vitin 2028.
Komisioni miratoi me 8 vota pro shpalljen e vakancës me mandat të plotë. Tre anëtarë nuk morën pjesë në votim, ndërsa nuk pati as vota kundër dhe as abstenime.
Manja njoftoi se brenda 20 ditëve nga publikimi i njoftimit në Fletoren Zyrtare, kandidatët e interesuar do të kenë mundësi të aplikojnë për vendin vakant:
“Mandati i zonjës Elsa Toska, i marrë në 2017, përfundon në 2025, dhe mandati i zonjës Bejtja, i marrë në 2020, mbaron në 2028. Ripërtëritja me 1/3 është e përcaktuar në Kushtetutë. Nga sot, brenda një afati 20-ditor, do të shpallet vakanca për anëtarin e Gjykatës Kushtetuese me mandat të plotë, duke u dhënë mundësinë të gjithë të interesuarve të aplikojnë.”
Pas sqarimeve të Manjës, Komisioni procedoi me votimin, duke i hapur rrugë nisjes së zyrtarizuar të garës për një vend të rëndësishëm në Gjykatën Kushtetuese.



