Ish-kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se Partia Demokratike ka një “vijë të kuqe absolute” kundër çdo forme bashkëpunimi me krimin e organizuar dhe kartelet e drogës, duke e cilësuar të papranueshëm çdo kontakt të tillë nga përfaqësues të saj.
Në një deklaratë publike, Berisha u shpreh se gjatë gjithë karrierës së tij politike nuk ka bërë dhe nuk do të bëjë kompromis me krimin, pavarësisht kostos. Sipas tij, ky ka qenë dhe mbetet vendimi më i drejtë.
Berisha akuzoi deputetin Ervin Salianji se ka organizuar një takim me Suel Çelën, të cilin e cilësoi si “kriminelin më të rrezikshëm të Elbasanit” dhe kreun e një karteli të fuqishëm. Ai theksoi se një veprim i tillë nga një anëtar i Kryesisë dhe i Këshillit Kombëtar tejkalon vijën e kuqe të partisë dhe është “absolutisht i papranueshëm”.
“Çdo person që ndërmerr një veprim të tillë mban përgjegjësi personale për pasojat,” tha Berisha, duke shtuar se PD nuk do të pranojë kurrë asnjë formë bashkëpunimi me organizata kriminale.
Lidhur me takimin e përfolur, Berisha deklaroi se ekzistojnë disa informacione që pohojnë se Suel Çela ka qenë organizatori kryesor “në hije”. Ai përshëndeti drejtuesit dhe strukturat e PD-së në Elbasan që, sipas tij, e bojkotuan takimin.
Në përfundim, Berisha ritheksoi se Partia Demokratike mbetet e palëkundur në qëndrimin e saj kundër krimit të organizuar.



