Kreu i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka folur për mediat nga protesta e zhvilluar ditën e sotme para Kryeministrisë, ku theksoi se vendi ndodhet përballë nevojës për një qeveri tranzitore.
Sipas Lapajt, një qeveri e tillë do të kishte si qëllim kryesor garantimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike. Ai u shpreh se kjo qeveri duhet të përbëhet nga figura pa lidhje politike, për të siguruar paanshmërinë e procesit zgjedhor.
Gjatë deklaratës së tij, Lapaj propozoi edhe disa emra që, sipas tij, do të mund të përmbushnin këtë rol, duke përmendur mjekun Tritan Kalo dhe akademikun Përparim Kabo.
Sipas kreut të “Shqipëria Bëhet”, individë të tillë do të ishin në gjendje të garantonin lirinë e votës dhe zhvillimin e një procesi elektoral të drejtë për të gjitha palët.
Protesta para Kryeministrisë vijon, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar se aksioni do të vazhdojë edhe në ditët në vijim.



