Gazetari Artan Hoxha ishte këtë të hënë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), ku, sipas deklarimeve të tij, dorëzoi kasetën origjinale të komunikimit të zinxhirit komandues të Gardës së Republikës gjatë demonstratës së 21 janarit 2011, ku u vranë katër protestues.
Në një deklaratë për mediat, pasi doli nga SPAK, Hoxha tha se audiopërgjimi përmban urdhra të qarta të dhëna nga komandanti i Gardës në momentet kur ndodhën vrasjet. Sipas tij, materiali audio është cilësor dhe dëgjohet qartë hierarkia e komandimit gjatë ngjarjes.
Gazetari theksoi se audiopërgjimi i dorëzuar është kasetë origjinale diktofoni dhe pritet t’i nënshtrohet ekspertizës, me gjasë në një laborator jashtë vendit, për shkak se SPAK nuk ka kapacitetet e nevojshme teknike.
Sipas Hoxhës, përmbajtja e kasetës rrëzon konkluzionet e mëparshme të gjykatave, të cilat i kanë cilësuar vrasjet si të kryera nga pakujdesia, duke pretenduar se bëhet fjalë për vrasje me dashje dhe të kryera me urdhër.
Ai ngriti gjithashtu shqetësimin se kanë kaluar 16 vite nga ngjarja dhe një pjesë e veprave penale mund të jenë parashkruar, ndërsa theksoi rëndësinë e mbrojtjes së burimit që ka siguruar materialin audio.
Sipas gazetarit, burimi ka denoncuar një krim shtetëror dhe ka kryer një shërbim të rëndësishëm publik, duke hedhur dritë mbi ngjarjet e ndodhura në bulevard më 21 janar 2011.



