Gazetari Artan Hoxha ka folur lidhur me çështjen hetimore të 21 Janarit dhe dëshminë e tij në SPAK, duke zbardhur detaje mbi dorëzimin e materialeve origjinale që lidhen me këtë ngjarje.
Hoxha u shpreh se ka dorëzuar origjinalin e kasetës në SPAK, por jo pa rezerva, duke theksuar se në të shkuarën ka konstatuar raste kur prova të rëndësishme janë harruar, humbur apo zhdukur, duke humbur vlerën e tyre hetimore.
“Origjinalet nuk i kam dorëzuar fillimisht për shkak të skepticizmit që kam, pasi kam konstatuar jo pak herë që prova determinante janë harruar ose janë zhdukur diku dhe kanë humbur vlerën,” deklaroi Hoxha.
Ai sqaroi se në rastin konkret ishte aluduar se kaseta mund të mos ishte origjinale, ndërsa sipas tij, materiali nuk ka shkuar asnjëherë për ekspertim teknik. Arsyeja, sipas gazetarit, lidhet me mungesën e teknologjisë së nevojshme në laboratorët shqiptarë për ekspertimin e kasetave të vjetra audio.
“Së pari, laboratori që kemi ne nuk i eksperton kasetofonët e dikurshëm. Nuk e kemi këtë teknologji, ndërsa inteligjenca artificiale ka hyrë në funksion vetëm vitet e fundit. Në rastin konkret, kaseta nuk është ekspertuar,” u shpreh Hoxha për Euronews Albania, në edicionin informativ me Thimi Samarxhiun,
Gazetari theksoi se vendimi për të dorëzuar origjinalin u mor pasi u bind se materiali kishte luajtur një rol të rëndësishëm në hetimin e ri të çështjes së 21 Janarit.
“Në momentin që mora dijeni se ajo e ka luajtur rolin e saj për të shkuar drejt zbardhjes së çështjes, vendosa ta dorëzoj origjinalin. Kaseta është hinka e hetimit. Edhe këtë mundësi ia hoqa çdo dyshimi,” tha ai.
Hoxha shtoi se para dorëzimit të materialit, ai e verifikoi vetë përmbajtjen dhe vuri në dijeni edhe familjarët e Aleks Nikës, një prej viktimave të 21 Janarit.
“Vura në dijeni familjarët e Aleks Nikës dhe u thashë: ‘Ja, dëgjoje me veshët e tu se çfarë ka ndodhur’,” përfundoi gazetari.
Deklaratat e Artan Hoxhës vijnë në një moment kur SPAK ka rihapur hetimet për 21 Janarin, një nga ngjarjet më të rënda të historisë së fundit politike në Shqipëri, me pritshmëri të larta për zbardhjen e plotë të përgjegjësive.



