Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ligjin “Për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna ndaj grave dhe dhuna në familje”, një nismë të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, me mbështetjen e organizatave ndërkombëtare UNDP dhe UN Women.
Ky ligj vendos një kuadër ligjor të fortë për mbrojtjen nga të gjitha format e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, duke garantuar siguri dhe dinjitet për gratë, vajzat, fëmijët, të moshuarit dhe personat me aftësi të kufizuara.
Ligji përfshin mekanizma të qartë ligjorë dhe institucionalë për parandalimin e dhunës, mbështetjen e viktimave dhe ndëshkimin e autorëve, duke synuar që mbrojtja e viktimave të mos mbetet vetëm në nivel deklarativ.
Ministria e Shëndetësisë ka theksuar se miratimi i këtij ligji përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të një shoqërie ku dhuna nuk tolerohet dhe të sigurohet një mjedis i sigurt për të gjithë qytetarët.



