back to top
11.5 C
Tirana
E martë, 10 Shkurt, 2026
spot_img
KreuDrejtësiaNga bashkia në bankën e të akuzuarve/ Veliaj përballë gjykimit për korrupsion...

Nga bashkia në bankën e të akuzuarve/ Veliaj përballë gjykimit për korrupsion dhe fshehje pasurie

Pas më shumë se katër muajsh seancash paraprake, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur kalimin për gjykim të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Vendimi u shpall mesditën e së hënës nga gjyqtarja Etleva Deda, e cila pranoi kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për dërgimin në gjyq të procedimit penal nr. 27 të vitit 2024.

Veliaj do të gjykohet për një sërë akuzash të rënda, mes tyre korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë, pastrim parash, fshehje dhe deklarim i rremë pasurie, shpërdorim detyre, si dhe futje dhe mbajtje të sendeve të ndaluara në institucionet e vuajtjes së dënimit. Kryebashkiaku ndodhet në paraburgim që prej 10 shkurtit 2025.

Vendimi u shpall në mungesë të Erion Veliajt dhe të mbrojtjes së tij ligjore. Avokatët e kryebashkiakut kanë deklaruar bojkot të procesit, duke e cilësuar atë të shoqëruar me shkelje të rënda procedurale. Në seancë ishte e pranishme vetëm një avokate e caktuar kryesisht nga shteti, ndërkohë që mbrojtja e zgjedhur e Veliajt ka pretenduar se nuk ka pasur akses real dhe efektiv në dosjen voluminoze të SPAK-ut.

Sipas mbrojtjes, çështja kulmoi në dhjetor të vitit 2025, kur u bë e ditur se institucionet e vuajtjes së dënimit nuk dispononin infrastrukturën e nevojshme për t’i mundësuar Veliajt leximin e mbi 61 mijë faqeve të materialeve hetimore, të cilat përbëjnë fashikullin e dosjes.

Në të njëjtin proces penal me kryebashkiakun e Tiranës do të gjykohen edhe 29 persona të tjerë, mes tyre bashkëshortja e tij Ajola Xoxa, ish-deputetja socialiste Klotilda Bushka, si dhe zyrtarë, biznesmenë dhe përfaqësues të organizatave jofitimprurëse.

Ndryshe nga Veliaj, Ajola Xoxa ka marrë pjesë aktive në seancat paraprake, duke kërkuar shpalljen e pavlefshme të akteve procedurale dhe kthimin e çështjes për hetime të mëtejshme. Gjykata i rrëzoi këto kërkesa dhe vendosi edhe për të kalimin në gjykim.

Dhjetë prej të pandehurve, mes tyre Klotilda Bushka, Fatmir Bektashi dhe Adela Kondakçiu, kanë kërkuar aplikimin e gjykimit të shkurtuar. Të pandehurit e tjerë, me përjashtim të Veliajt, kanë kërkuar gjykim të zakonshëm, duke ngritur një sërë pretendimesh mbi mënyrën e kryerjes së hetimeve.

Sipas njoftimit zyrtar të Gjykatës së Posaçme, SPAK akuzon Erion Veliajn për përfitime të parregullta në bashkëpunim me disa subjekte private dhe organizata jofitimprurëse, përmes skemave korruptive që lidhen me dhënien e lejeve, kontratave dhe favoreve institucionale. Hetimi përfshin edhe akuza për pastrim parash, përmes subjekteve tregtare dhe OJF-ve, si dhe fshehje të të ardhurave dhe pasurive.

Në dosje janë përfshirë gjithashtu shoqëri tregtare si “Agi Kons”, “Fusha”, “Palushi”, “Kontakt”, “Gerard-A”, “Rametal”, si dhe disa organizata jofitimprurëse, të cilat sipas prokurorisë kanë shërbyer si mjete për qarkullimin dhe legalizimin e produkteve të veprës penale.

Me kalimin e çështjes për gjykim, brenda 10 ditëve në Gjykatën Antikorrupsion pritet të hidhet shorti për caktimin e trupës gjykuese me tre gjyqtarë, e cila do të shqyrtojë në themel dosjen “Veliaj”. Ndërkohë, çështja mbetet edhe në pritje të një vendimmarrjeje nga Gjykata Kushtetuese, ku janë depozituar ankime që lidhen me procedurën dhe masat e sigurisë.

Vendimi i Gjykatës së Posaçme për dërgimin e çështjes në gjyq është përfundimtar dhe nuk lejohet ankim, duke hapur kështu fazën e gjykimit për një nga dosjet më të bujshme të korrupsionit në nivelet e larta të pushtetit vendor.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat