Policia e Fierit ka dhënë detaje për operacionin e zhvilluar mbrëmjen e së mërkurës, ku u ekzekutuan katër masa sigurie “Arrest në burg” për një hetim që lidhet me tjetërsimin dhe regjistrimin e dyshuar në mënyrë të paligjshme të tokave në zonën e Semanit.
Në pranga kanë përfunduar Ertis Shehu dhe Bardh Kapaj, ish-drejtues të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Piro Çela, specialist dhe jurist pranë ASHK-së, si dhe biznesmeni Kastriot Hasko.
Sipas policisë, hetimi ka nisur në vitin 2025 dhe gjatë veprimeve hetimore janë identifikuar personat që dyshohet se kanë bashkëpunuar për regjistrimin në pronësi të Haskos të sipërfaqeve të tokës në Seman.
Autoritetet dyshojnë se për regjistrimin e pronave janë shfrytëzuar funksionet në institucionet shtetërore dhe është përdorur dokumentacion i dyshuar i falsifikuar.
“Ekzekutimi i masave të sigurisë u krye pasi këta shtetas dyshohet se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë regjistruar në pronësi të shtetasit K. H. sipërfaqe toke, duke shfrytëzuar pozicionet e tyre të punës, si dhe duke falsifikuar dokumentacionin përkatës”, thuhet në njoftimin e Policisë së Fierit.
Hasko, i përfshirë më herët në një tjetër konflikt pronësie
Emri i biznesmenit Kastriot Hasko është bërë më herët publik edhe në një tjetër çështje të debatueshme pronësie, këtë herë në zonën e Palasës.
Hasko, i njohur si pronar i linjës MonCafe dhe i një biznesi me të njëjtin emër në Vlorë, si dhe me aktivitet në fushën e ndërtimit, është përfshirë në një konflikt pronësie me biznesmenët Vasil Bedinaj dhe Luan Muça.
Vetë Hasko ka folur publikisht për këtë çështje në emisionin “Top Story”, ku ka deklaruar se prona objekt konflikti i përkiste atij dhe se dispononte dokumentacion hipotekor për të provuar pronësinë.
Ai ka thënë se tokën e kishte trashëguar nga nëna dhe se kishte lidhur një kontratë bashkëpunimi me kompaninë Regina Group për zhvillimin e pronës.
Ndërkohë, pala tjetër në konflikt ka pretenduar se e kishte marrë më herët pronën dhe se dispononte edhe leje ndërtimi për atë zonë.



