KreuAktualitetPolitikaMinistrja e Shëndetësisë paralajmëron dorëheqjen/ Premtimi që nuk ishte dëgjuar më parë...

Ministrja e Shëndetësisë paralajmëron dorëheqjen/ Premtimi që nuk ishte dëgjuar më parë në Kuvend

Ministrja e re e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, është përballur këtë të enjte me një interpelancë të kërkuar nga një grup deputetësh të Partisë Demokratike, gjatë seancës plenare në Kuvend.

Përgjatë interpelancës, e cila u shoqërua disa herë me ndërprerje dhe debate nga deputetët e opozitës, Spahiu foli për punën e saj që prej marrjes së detyrës, duke deklaruar se ka punuar me orare të zgjatura dhe se do të mbrojë njerëzit që punojnë me të.

Por deklarata më e fortë e ministres lidhej me Institutin e Onkologjisë dhe pajisjen PET Scan, e përdorur për diagnostikimin dhe monitorimin e sëmundjeve tumorale.

Spahiu vendosi edhe një afat për realizimin e premtimit, duke deklaruar se në janar të vitit 2027, me nisjen e Institutit të Onkologjisë, PET Scan-i do të jetë në funksion. Në të kundërt, ajo tha se do të japë dorëheqjen.

“Në janar fillon Instituti i Onkologjisë të 2027. Unë ose e sjell atë PET Scan, ose jap dorëheqjen”, deklaroi Spahiu në Kuvend.

Ministrja tha gjithashtu se prej ditës së nesërme në shërbimin e Onkologjisë do të zbatohet një udhëzim i detajuar për mënyrën se si do të trajtohet një pacient që diagnostikohet për herë të parë.

“Kur flasim për kancerin nuk mund të flasim vetëm për numrin që trajtojmë. Duhet të flasim për sa pacientë diagnostikojmë më herët apo sa kapacitet ndërtojmë”, u shpreh ajo.

Spahiu theksoi se ka 32 vite në sistemin shëndetësor dhe 16 vite si deputete, ndërsa tha se do të jetë e pranishme për të dhënë llogari për punën e saj.

“Çdo orë e punës sime do të jetë në shërbim të qytetarëve, të pacientëve. Zyra ime është e hapur nga ora 8 deri në 8 të darkës dhe, sa të jem unë këtu, nuk do t’ju lejoj të dezinformoni”, deklaroi ministrja.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat