Kërkesa e opozitës për ngritjen e një Komisioni Hetimor për kompaninë shtetërore KAYO është rrëzuar nga mazhoranca në Konferencën e Kryetarëve.
Në arsyetimin e mazhorancës, kërkesa e firmosur nga 41 deputetë të PD-së, Partisë së Lirisë dhe “Aleancës për Ndryshim” nuk plotëson kriteret kushtetuese dhe ligjore për ngritjen e një komisioni hetimor.
Argumenti kryesor i PS-së është se opozita nuk ka përcaktuar konkretisht se çfarë paligjshmërie kërkon të hetojë. Sipas mazhorancës, objekti i kërkesës është shumë i gjerë dhe përfshin çështje të ndryshme, nga kontratat dhe fondet publike te aktiviteti tregtar i KAYO-s, dyshimet për trafik armësh dhe detyrimet që lidhen me NATO-n.
Në dokumentin e mazhorancës thuhet se opozita nuk ka individualizuar kontratat, aktet apo veprimet konkrete që pretendohen si të paligjshme. Po ashtu, sipas PS-së, nuk është përcaktuar qartë as periudha kohore që duhet të mbulojë hetimi.
Opozita kërkonte që komisioni të verifikonte aktivitetin e KAYO-s, përdorimin e fondeve publike, marrëdhëniet kontraktuale me kompanitë private dhe pretendimet për trafik ndërkombëtar armësh.
Në qendër të debatit janë edhe 34 milionë eurot që, sipas opozitës, janë shpenzuar nga KAYO, si dhe audiopërgjimet e publikuara në media.
Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, ka argumentuar se pikërisht për këtë arsye kërkohet komisioni hetimor: për të mbledhur dhe verifikuar informacionin.
“Ne nuk kërkojmë asgjë tjetër, veç të mësojmë dhe të njohim kontratat e lidhura mes një kompanie shtetërore me kompaninë private”, deklaroi Bardhi.
Por mazhoranca kundërshton këtë argument. Sipas saj, një komision hetimor nuk mund të ngrihet për të kërkuar nëse ekziston apo jo një shkelje ligjore. Për PS-në, përpara ngritjes së komisionit duhet të ketë fakte dhe indicie konkrete që lidhen me një çështje të përcaktuar.
Një tjetër arsye e paraqitur nga mazhoranca lidhet me audiopërgjimin e publikuar dhe verifikimet e nisura nga SPAK. Sipas PS-së, përfshirja e të njëjtave çështje në një hetim parlamentar mund të krijojë mbivendosje me hetimin penal, veçanërisht për autenticitetin dhe vlerësimin e provave.
Mazhoranca ka argumentuar gjithashtu se çështjet e ngritura nga opozita mund të trajtohen përmes instrumenteve të tjera të kontrollit parlamentar, si pyetjet në komisione, pyetjet në seancë plenare dhe interpelancat.



