Ministria e Financave organizoi një takim të zgjeruar në nivel të lartë institucional për të diskutuar përdorimin e Skemës së Garancisë Sovrane të Qeverisë Shqiptare dhe Programit të Financimit të Biznesit Mikro, të Vogël dhe të Mesëm (PFBVM) nga sektori bankar.
Takimi u zhvillua nën drejtimin e Ministrit të Financave, Petrit Malaj, me pjesëmarrjen e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, Ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, Drejtorëve të Përgjithshëm të bankave tregtare dhe përfaqësuesve të Shoqatës Shqiptare të Bankave.
Qëllimi i takimit ishte vlerësimi i progresit në zbatimin e skemave të financimit, identifikimi i çështjeve që ndikojnë në kreditimin drejt ekonomisë reale, dhe përcaktimi i masave për përmirësimin e aksesit në financim për fermerët, ndërmarrjet bujqësore dhe bizneset mikro, të vogla dhe të mesme.
Ministri Malaj theksoi se sektori bujqësor mbetet prioritet strategjik i qeverisë dhe se Skema e Garancisë Sovrane duhet të përdoret për të përshpejtuar rritjen e produktivitetit dhe vlerës së shtuar të biznesit shqiptar në prag të integrimit në tregun e përbashkët evropian.
Guvernatori Sejko vuri në dukje rolin e Bankës së Shqipërisë në mbështetje të skemës dhe rëndësinë e koordinimit ndërmjet autoriteteve publike dhe sektorit bankar për të rritur efektivitetin e instrumentit financiar, duke ruajtur stabilitetin financiar.
Ministri i Bujqësisë, Andis Salla, shtoi se interesimi i fermerëve dhe bizneseve agro-përpunuese për skemën po rritet, duke treguar potencialin e madh për zhvillim ekonomik dhe akses në financim.
Sektori bankar vlerësoi gjallërimin e skemës dhe konfirmoi se aplikime të tjera janë aktualisht në proces vlerësimi. Pjesëmarrësit theksuan nevojën për intensifikimin e përpjekjeve për orientimin e fermerëve dhe bizneseve drejt mundësive të financimit.
Skema e Garancisë Sovrane mbulon deri në 70% të vlerës së kredisë, me normë interesi 2%, periudhë grace minimale 12 muaj dhe pa penalitete për shlyerje të parakohshme. Fondi i saj prej 3 miliardë lekësh (rreth 30 milionë euro) mbështet drejtpërdrejt fermerët dhe ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme në sektorin bujqësor dhe agropërpunues.
Institucionet riafirmuan angazhimin për bashkëpunim të ngushtë për të rritur aksesin në financim, nxitjen e investimeve dhe mbështetjen e zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm, me fokus të veçantë sektorin e bujqësisë dhe bizneset mikro dhe të mesme.



