back to top
10.5 C
Tirana
E enjte, 12 Shkurt, 2026
spot_img
KreuAktualitetBotaSpiunazh në epokën digjitale/ CIA sfidon “Murit të Madh të Zjarrit” të...

Spiunazh në epokën digjitale/ CIA sfidon “Murit të Madh të Zjarrit” të Kinës

Vetëm pak javë pasi një nga drejtuesit më të lartë të ushtrisë kineze u vu nën hetim, Agjencia Qendrore e Inteligjencës e SHBA-së (CIA) ka nisur një përpjekje të re për të rekrutuar informatorë brenda forcave të armatosura të Kinës, duke shënuar një tjetër episod në rivalitetin e thelluar mes dy superfuqive.

Të enjten, CIA publikoi një video të re në kanalin e saj zyrtar në YouTube, ku paraqitet një oficer fiktiv i ushtrisë kineze i zhgënjyer nga sistemi dhe drejtuesit e tij. Videoja është pjesë e një fushate më të gjerë për të forcuar mbledhjen e inteligjencës njerëzore ndaj Kinës, të cilën Uashingtoni e konsideron rivalin e tij kryesor strategjik.

Kjo nismë vjen pas një fushate të ngjashme në maj të vitit të kaluar, kur CIA publikoi video me personazhe brenda Partisë Komuniste të Kinës, duke ofruar udhëzime të detajuara në gjuhën kineze se si mund të kontaktohej në mënyrë të sigurt inteligjenca amerikane.

Drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, deklaroi se videot e agjencisë kanë arritur tek një numër i madh qytetarësh kinezë dhe se përpjekjet do të vazhdojnë. Sipas tij, zyrtarëve kinezë u ofrohet një “mundësi për të punuar së bashku drejt një të ardhmeje më të ndritur”.

Lëvizja e fundit e CIA-s vjen në një moment të ndjeshëm për udhëheqjen ushtarake kineze. Muajin e kaluar, Ministria kineze e Mbrojtjes njoftoi se Zhang Youxia, numri dy në hierarkinë ushtarake pas presidentit Xi Jinping dhe nënkryetar i Komisionit Qendror Ushtarak, është vënë nën hetim. Rasti konsiderohet si një nga zhvillimet më të bujshme në dekadat e fundit në strukturat e larta të ushtrisë kineze.

Videoja e publikuar nga CIA duket se synon të shfrytëzojë pasojat e brendshme politike të fushatës shumëvjeçare të Pekinit kundër korrupsionit në ushtri, e cila ka prekur nivelet më të larta të Ushtrisë Çlirimtare Popullore. Në video, oficeri fiktiv shprehet se “çdokush që shfaq cilësi udhëheqëse bëhet objekt dyshimi dhe mund të eliminohet pa mëshirë”, duke aluduar për klimën e brendshme të frikës dhe pasigurisë.

CIA ka deklaruar se është e bindur se kjo fushatë online po arrin të depërtojë përmes kufizimeve të forta të internetit në Kinë, të njohura si “Muri i Madh i Zjarrit”, dhe po shkon tek audienca e synuar. Një zyrtar i CIA-s, duke folur për Reuters në kushte anonimiteti, tha se videot e mëparshme janë parë nga miliona njerëz dhe kanë sjellë burime të reja informacionesh, pa dhënë detaje të mëtejshme.

Raportimet tregojnë se SHBA ka investuar ndjeshëm për të rindërtuar rrjetin e saj të inteligjencës në Kinë, pasi Pekini goditi rëndë rrjetin amerikan duke vrarë ose burgosur disa burime mes viteve 2010–2012.

Ndërkohë, zyrtarë amerikanë pohojnë se edhe shërbimet sekrete kineze kanë punuar vazhdimisht për të rekrutuar punonjës aktualë dhe ish-punonjës amerikanë. Pekini ka bërë publike në disa raste atë që i quan rrjete spiunazhi amerikan në territorin e tij.

Përplasjet në fushën e inteligjencës janë pjesë e një rivaliteti gjithnjë e më të thellë ushtarak, ekonomik dhe teknologjik mes SHBA-së dhe Kinës, të cilin shumë analistë e cilësojnë si një formë moderne të Luftës së Ftohtë.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat