Administrata Tatimore njofton se çdo individ që gjatë vitit 2025 ka gjeneruar të ardhura mbi 50 mijë lekë nga qiradhënia e apartamenteve, vilave apo aktivitete të tjera përmes platformave si Airbnb, Booking, YouTube, Meta apo Instagram, duhet t’i deklarojë këto të ardhura në formularin DIVA-2025.
Sipas rregullave, të ardhurat konsiderohen të patatuara për individët pa NIPT dhe do të tatohen 15%, duke u regjistruar manualisht nga deklaruesi në rubrikat përkatëse:
Qiradhënia: Rubrika 6 – “Të ardhura nga dhënia me qira”
Rrjetet sociale ose platforma të huaja: Rubrika 21 – “Të ardhura bruto të tjera të papërmendura më lart të realizuara jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë”
Kontabilisti Armand Mala sqaroi për “Monitor” se në DIVA shënohet e ardhura pas komisioneve të platformave, pasi kjo korrespondon me pagesat reale të arkëtuara në bankë. Ligji nuk parashikon zbritje shpenzimesh për këto të ardhura, ndërsa zbritjet e aplikueshme janë vetëm për të ardhurat nga punësimi dhe për fëmijët në ngarkim.
Sipas të dhënave të platformës AirDNA, në vitin 2025 në Shqipëri u ofruan mesatarisht 26.3 mijë apartamente për qira përmes Airbnb, me një rritje prej 25.3% nga viti i mëparshëm. Të ardhurat e gjeneruara nga qiradhënia përmes platformave arrijnë 134 milionë euro, një nivel rekord për vendin, me rritje 23.4% krahasuar me vitin e kaluar.
Administrata tatimore ka nisur projekte pilot për identifikimin dhe formalizimin e individëve që ofrojnë prona në platformat e huaja, duke kryqëzuar të dhënat e komisioneve të paguara me deklarimet DIVA për të siguruar mbajtjen e tatimit 15% në burim.
Afati për deklarimin e këtyre të ardhurave është 31 Mars 2026.



