Procesi i rivlerësimit të pasurive të paluajtshme ka nisur zyrtarisht, ndërsa Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka publikuar udhëzimin për procedurat, dokumentet dhe tarifat që duhet të ndjekin qytetarët.
Sipas njoftimit, aplikimi për rivlerësimin e pronës kryhet online përmes platformës e-Albania, ku qytetarët duhet të plotësojnë formularin përkatës dhe të dorëzojnë dokumentacionin e nevojshëm.
Tatimi dhe mënyrat e rivlerësimit
Rivlerësimi i pasurisë kryhet me një tatim prej 5% mbi diferencën mes vlerës së mëparshme dhe vlerës së re të pronës. Procesi mund të realizohet në dy forma, përmes çmimeve të referencës të miratuara sipas zonës ose përmes një akti vlerësimi nga ekspert i licencuar.
Autoritetet bëjnë me dije se qytetarët që zgjedhin vlerësimin nga eksperti duhet të ngarkojnë raportin përkatës në sistem, ndërsa pagesa e tatimit dhe tarifave kryhet sipas udhëzimeve të platformës.
Pse shërben rivlerësimi
Rivlerësimi i pronës u jep mundësi pronarëve të përditësojnë vlerën e pasurisë në dokumente, duke ulur tatimin që paguhet në rast shitjeje në të ardhmen. Procesi pritet të zgjasë për një periudhë të përcaktuar, ndërsa institucionet u bëjnë thirrje qytetarëve të aplikojnë brenda afateve.



