back to top
16.5 C
Tirana
E mërkurë, 25 Shkurt, 2026
spot_img
KreuDrejtësiaReformë në sistemin penal/ Nisma për Agjencinë e Mbikëqyrjes merr dritën jeshile

Reformë në sistemin penal/ Nisma për Agjencinë e Mbikëqyrjes merr dritën jeshile

Në mbledhjen e radhës së Komisioni për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes, deputetët shqyrtuan projektligjin “Për Agjencinë e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale”, një nismë që synon forcimin e kontrollit dhe transparencës në institucionet e vuajtjes së dënimit.

I pranishëm për paraqitjen e nismës ishte ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, i cili theksoi se projektligji krijon një kuadër të ri ligjor për rritjen e profesionalizmit dhe garantimin e mbikëqyrjes efektive në sistemin e ekzekutimit të vendimeve penale, në përputhje me Kushtetutën dhe standardet ndërkombëtare.

Sipas ministrit, Agjencia e re do të ketë për mision parandalimin, zbulimin dhe hetimin e veprave penale brenda sistemit, si dhe forcimin e mekanizmave të kontrollit të brendshëm për të garantuar integritetin institucional. Ai nënvizoi se Ministria e Drejtësisë i qëndron variantit të projektligjit të miratuar nga Këshilli i Ministrave, duke shtuar se drafti ka kaluar një periudhë të mjaftueshme konsultimi.

Projektligji i kushton rëndësi të veçantë veprimtarisë informative gjurmuese, e cila do të zhvillohet në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe mbi bazën e udhëzimeve ndërinstitucionale, duke garantuar respektimin e të drejtave dhe lirive themelore. Ai parashikon gjithashtu mekanizma shtesë për mbrojtjen e të dhënave personale dhe kërkesën për autorizim nga prokurori përpara marrjes së të dhënave nga punonjësit operacionalë, me qëllim shmangien e abuzimeve të mundshme.

Ndërkohë, janë riformuluar dispozitat që lidhen me emërimin dhe lirimin e Drejtorit të Përgjithshëm, duke synuar një balancë më të fortë institucionale, si dhe janë përcaktuar kritere më të qarta për transferimet, komandimet dhe ndërprerjen e marrëdhënieve të punës.

Në përfundim të diskutimeve, projektligji u miratua në parim dhe vijoi shqyrtimi nen për nen, me synimin që, pas reflektimit të ndryshimeve të dakordësuara, të paraqitet për votim në seancë plenare. Ministri Lamallari e cilësoi nismën një hap të rëndësishëm drejt konsolidimit të një sistemi të sigurt, transparent dhe të përgjegjshëm të ekzekutimit të vendimeve penale, në funksion të shtetit të së drejtës dhe rritjes së besimit të qytetarëve te institucionet.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat