Ish-ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, ka qartësuar situatën e sigurisë pas shqetësimeve të fundit për një sulm të mundshëm raketor nga Irani, duke e cilësuar skenarin si “hipotetik” dhe panikun e krijuar në publik si të ekzagjeruar.
Në një intervistë për emisionin “Frontline” në Report TV, Lleshaj shpjegoi se një sulm i tillë është praktikisht i pamundur për shkak të distancës, angazhimit të Iranit në shumë fronte dhe mbrojtjes ajrore të NATO-s, e cila operon 24 orë në ditë.
“Alarmet që përhapen janë tymnajë dhe diskutime për të tërhequr vëmendje dhe kureshtje”, tha Lleshaj.
Ai shtoi se edhe në rast se raketat iraniane do të synonin Shqipërinë, ato duhet të kalonin mbrojtjen ajrore të disa vendeve anëtare të NATO-s përpara se të arrinin në territorin shqiptar, duke e bërë rrezikun shumë të vogël.
“Numri i raketave që kanë distancë veprimi maksimale është më i vogël se numri i raketave me rreze taktike më të ulët. Gjasat për një sukses janë jashtëzakonisht të vogla dhe shumë teorike”, tha ish-ministri.
Lleshaj pranoi se Shqipëria nuk ka kapacitete të vetat për mbrojtje kundër raketave, por theksoi se siguria e vendit sigurohet nga NATO.
“Shqipëria nuk ka asnjë kapacitet të vet për të reaguar kundër raketave. Por Shqipëria ka gjithë arsenalin e NATO-s për t’u mbrojtur. Ne kemi hyrë në NATO që të mos i ndërtojmë vetë këto kapacitete, sepse bëhet fjalë për miliarda euro”, u shpreh ai.
Rreziku kryesor: Ndikimi dhe propaganda
Sipas Lleshajt, kërcënimi kryesor për Shqipërinë nuk lidhet me sulme nga ajri, por me aktivitetet e ndikimit dhe propagandës që lidhen me Iranin. Ai kujtoi ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Teheranin më 7 shtator 2022 dhe theksoi se propaganda pro-Iran vazhdon të jetë e pranishme në hapësirën publike shqiptare.
“Sot Shqipëria nuk kërcënohet nga ajri, por Irani mund të na godasë në aspekte të tjera”, tha Lleshaj.
Ish-ministri i Brendshëm kërkoi një reagim më të fortë nga institucionet e sigurisë për të ndaluar aktivitetin e agjentëve iranianë, të cilët sipas tij veprojnë në vend nën petkun e gazetarëve dhe influencuesve.
“Ne nuk mund të lejojmë që vendet armiqësore të veprojnë lirisht dhe hapur me agjenturat e tyre në territorin shqiptar. Inteligjenca shqiptare duhet të japë përgjigje se si ka mundësi që agjentët e Iranit veprojnë lirisht në Shqipëri nën petkun e gazetarëve dhe influencuesve, jo vetëm të Iranit, por edhe të vendeve të tjera keqdashëse ndaj Shqipërisë. Institucionet e sigurisë kombëtare nuk mund të rrinë indiferente dhe duhet të bëjnë hapa konkretë për të çliruar hapësirën publike nga kjo propagandë”, tha Lleshaj.
Lleshaj theksoi se Shqipëria, falë mbrojtjes së NATO-s, është e mbrojtur nga kërcënimet raketore, ndërsa rreziku real mbetet i lidhur me ndikimin dhe veprimtaritë e huaja që synojnë të minojnë sigurinë dhe stabilitetin e vendit.



