back to top
8.5 C
Tirana
E mërkurë, 11 Mars, 2026
spot_img
KreuAktualitetPE miraton raportin/ "Shqipëria dhe Mali i Zi drejt përfundimit të negociatave"

PE miraton raportin/ “Shqipëria dhe Mali i Zi drejt përfundimit të negociatave”

Zgjerimi i Bashkimi Evropian me vendet e Ballkani Perëndimor, përfshirë Shqipëria, do të forconte sigurinë dhe stabilitetin e Evropës në një kohë tensionesh dhe konfliktesh globale. Ky është përfundimi i eurodeputetëve në raportin e miratuar të mërkurën nga Parlamenti Evropian, pas një seance që zgjati rreth katër orë.

Raporti u miratua me 385 vota pro, 147 kundër dhe 98 abstenime. Në dokument theksohet se zgjerimi i BE-së përbën një investim strategjik për sigurinë dhe stabilitetin e kontinentit, ndërsa kostoja e moszgjerimit do të ishte më e lartë sesa integrimi i anëtarëve të rinj.

“Zgjerimi forcon sigurinë e Bashkimit Evropian dhe parandalon zonat gri gjeopolitike destabilizuese. Kostoja e moszgjerimit do të tejkalonte atë të përthithjes së anëtarëve të rinj. Zgjerimi është një përgjigje strategjike ndaj realitetit gjeopolitik në zhvillim dhe një investim jetësor në sigurinë dhe stabilitetin e BE-së”, thuhet në raport.

Eurodeputetët vlerësojnë përparimin e bërë nga Shqipëria dhe Mali i Zi në procesin e integrimit evropian, duke theksuar se të dy vendet kanë vendosur objektiva ambicioze për përfundimin e negociatave të anëtarësimit respektivisht deri në vitet 2027 dhe 2026.

Sipas raportit, Bashkimi Evropian duhet të inkurajojë këto përpjekje dhe të heqë çdo pengesë që mund të ngadalësojë procesin e zgjerimit për vendet e rajonit.

Ndërkohë, eurodeputetët kërkuan gjithashtu hapjen sa më të shpejtë të grupeve negociuese me Ukraina dhe Moldavia, duke argumentuar se me çdo anëtar të ri rritet fuqia politike dhe ekonomike e Evropës.

Raporti thekson edhe rëndësinë e përafrimit të vendeve kandidate me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së BE-së, duke e konsideruar këtë si një tregues kyç të orientimit të tyre gjeostrategjik.

Në kuadër të forcimit të angazhimit me rajonin, Parlamenti Evropian ka vendosur gjithashtu të hapë një zyrë për Ballkanin Perëndimor në Shqipëri. Zyra do të shërbejë si një pikë kyçe kontakti mes institucioneve evropiane dhe partnerëve në rajon, në një kohë tensionesh të larta gjeopolitike.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat