back to top
19.5 C
Tirana
E hënë, 16 Mars, 2026
spot_img
KreuDrejtësiaVeliaj në Kushtetuese kundër SPAK/ "Paraburgimi pa afat shkel standardet kushtetuese"

Veliaj në Kushtetuese kundër SPAK/ “Paraburgimi pa afat shkel standardet kushtetuese”

Erion Veliaj i është drejtuar Gjykates Kushtetuese me kundërshtime ndaj prapësimeve të paraqitura nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar lidhur me masën e sigurimit ndaj tij.

Në dokumentin e depozituar në gjykatë, mbrojtja ligjore e kryebashkiakut të Tiranë paraqet një sërë argumentesh juridike që, sipas saj, tregojnë se qëndrimi i prokurorisë përbën një precedent problematik për shtetin e së drejtës dhe funksionimin e institucioneve demokratike.

Kundërshtimet ndaj argumenteve të SPAK

Sipas kërkesës së paraqitur në Gjykatën Kushtetuese, një nga pretendimet më shqetësuese të prokurorisë është argumenti se vetë autoriteti demokratik i një të zgjedhuri vendor përbën rrezik për hetimin penal. Në prapësimet e saj, prokuroria ka argumentuar se edhe pa ndërhyrje të drejtpërdrejtë, autoriteti i rikthyer i një drejtuesi mund të krijojë presion objektiv mbi vartësit dhe të ndikojë në lirinë e dëshmisë.

Sipas mbrojtjes së Veliajt, një logjikë e tillë e trajton legjitimitetin demokratik të një të zgjedhuri jo si shprehje të sovranitetit të qytetarëve, por si një faktor presioni procedural që duhet neutralizuar përmes paraburgimit. Në kërkesë theksohet se kjo qasje përbën, sipas tyre, një sulm institucional ndaj mandatit demokratik të konfirmuar edhe nga vetë Gjykata Kushtetuese.

Debati mbi të drejtën për mbrojtje

Një tjetër pikë e kundërshtuar lidhet me pretendimin e prokurorisë se një mbrojtje aktive nga ana e Veliajt përbën arsye për vijimin e paraburgimit. Sipas dokumentit të paraqitur, SPAK e konsideron si ndërhyrje në hetim depozitimin e një padie administrative nga Veliaj dhe Bashkia e Tiranës për verifikimin e ligjshmërisë së mandatit të njërit prej prokurorëve të çështjes.

Mbrojtja argumenton se një interpretim i tillë e kthen të drejtën kushtetuese për akses në gjykatë dhe për kontroll gjyqësor të mandatit të një zyrtari publik në një arsye për të kufizuar lirinë personale të një individi. Sipas tyre, kjo do të thoshte që ushtrimi i të drejtave kushtetuese nga qytetarët mund të konsiderohej si rrethanë rënduese ndaj tyre.

Çështja e konfliktit institucional

Në kundërshtimet e paraqitura, mbrojtja e Veliajt hedh poshtë edhe pretendimin se depozitimi i padisë administrative përbën përpjekje për të krijuar konflikt institucional përmes Bashkisë së Tiranës.

Sipas argumenteve të paraqitura, si kryetar i Bashkisë së Tiranës, Veliaj është përfaqësuesi ligjor i institucionit dhe masa e sigurimit ndaj tij ka prodhuar pasoja të drejtpërdrejta në funksionimin e këtij institucioni. Për këtë arsye, sipas mbrojtjes, Bashkia ka interes të drejtpërdrejtë për të kërkuar verifikimin e mandatit të një prokurori, veprimtaria e të cilit ka sjellë pasoja për administratën vendore.

Në dokument përmendet edhe fakti se mandati i prokurorit Olsi Dado është aktualisht në shqyrtim gjyqësor në gjykatën administrative. Sipas kërkesës, në një situatë të tillë institucionet duhet të presin vendimin e gjykatës dhe të shmangin çdo veprim që mund të interpretohet si ndërhyrje në procesin gjyqësor.

Pretendimi për shkelje të standardeve të proporcionalitetit

Mbrojtja e Veliajt argumenton gjithashtu se paraburgimi i tij ka tejkaluar standardet e proporcionalitetit dhe standardet e përcaktuara për të zgjedhurit vendorë nga Komisioni i Venecias.

Sipas dokumentit, paraburgimi nuk mund të zgjatet në mënyrë të pakufizuar mbi të njëjtat arsye fillestare dhe pa rrethana të reja konkrete që ta justifikojnë atë, veçanërisht kur bëhet fjalë për një të zgjedhur vendor dhe kur masa e sigurimit ndikon drejtpërdrejt në funksionimin e institucionit që ai drejton.

Në përfundim të kërkesës, Gjykatës Kushtetuese i kërkohet të vlerësojë nëse në këtë rast kemi të bëjmë vetëm me një masë sigurimi, apo me krijimin e një precedenti që mund të rrezikojë standardet kushtetuese të procesit të rregullt ligjor, të drejtën për mbrojtje dhe funksionimin normal të institucioneve demokratike në vend.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat