Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë publike një bisedë që, sipas tij, ka zhvilluar me Ervin Salianji gjatë kohës që ky i fundit ndodhej në burg, duke zbuluar detaje mbi një kërkesë të pazakontë që lidhej me lirimin e tij.
Gjatë një konference për mediat, Berisha deklaroi se Salianji i kishte kërkuar mendim nëse duhej të firmoste një deklaratë, përmes së cilës do të garantonte se nuk do të kryente një akt dhune ndaj Fatmir Xhafaj.
Sipas Berishës, një veprim i tillë do të nënkuptonte pranimin e një faji që nuk ekziston, ndaj ai e kishte këshilluar Salianjin të mos e firmoste deklaratën.
“Për të dalë nga burgu më duhet të deklaroj se nuk do të vras Fatmir Xhafën. Ma kërkon gjykata për të firmosur. I thashë: ç’po më pyet mua? Një deklaratë e tillë të bën të marrësh fajësinë në këtë mes,” u shpreh Berisha, duke shtuar se këshilla e tij ishte që të mos e firmoste.
Ai shtoi se më vonë Salianji i kishte treguar se një kërkesë e tillë nuk iu bë më nga autoritetet, ndërsa theksoi se vendimet personale i përkasin vetë individit.
Në të njëjtën konferencë, Berisha komentoi edhe zhvillimet brenda Partisë Demokratike, duke u ndalur te kandidimi i Salianjit për drejtimin e saj. Ai u shpreh se e mirëpret këtë garë, duke theksuar se nuk ka asnjë shqetësim për sfidat e brendshme.
Ndërkohë, gara për kreun e ri të Partisë Demokratike pritet të zhvillohet më 23 maj, ku përveç Salianjit, kanë shpallur kandidaturën edhe figura të tjera si Evi Kokalari dhe Alesia Balliu, të cilat kanë kërkuar ndryshim në drejtimin e partisë.



