back to top
17.5 C
Tirana
E martë, 24 Mars, 2026
spot_img
KreuOpinion dhe AnalizëKina dhe ndikimi i saj në ekonominë globale

Kina dhe ndikimi i saj në ekonominë globale

Autor: Prof. Dr. Enver Bytyçi*

Kina ka transformuar ekonominë e saj në një fuqi globale të pakonkurrueshme. Qetësia dhe strategjia e saj ndaj presioneve ndërkombëtare kanë tërhequr vëmendjen e botës. Plani i 15-të pesëvjeçar forcon rolin e Kinës në ekonominë globale dhe në tregjet ndërkombëtare

Presidenti i Republikës Popullore të Kinës Xi Jinping është i vetmi lider në glob që nuk shprehu shqetësim sa i përket tarifave doganore e tregtare të presidentit amerikan, Donald Trump. Megjithatë, ai dha edhe mesazhe të qarta se Kina është e aftë të zhvillohet dhe përballojë me sukses sfidat e kohës. Ndërkohë, në një telefonatë të fillimit të shkurtit me homologun e tij amerikan, presidenti kinez foli për respekt të ndërsjellë dhe bashkëpunim të barabartë. Ai thoshte se Kina dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dy vendet më të mëdha do të lëvizin në respekt të njëra-tjetrës dhe në një bashkëpunim koekzistent të barabartë”! Ndërsa, Trump thoshte pas kësaj bisede se ajo ishte ekselente. Xi përmes kësaj deklarate dha mesazhin se Republika Popullore e Kinës është e përkushtuar ndaj kursit të paqes dhe harmonisë midis shteteve, sidomos të Fuqive të Mëdha. Kina nuk është xheloze e as armiqësore me të tjerët, përfshirë dhe amerikanët. Kursi i saj politik e diplomatik është marrëveshja, bashkëpunimi, respekti i ndërsjellë dhe përparimi global.

Kjo harmoni në qëndrimet kineze shprehet gjithashtu në planet e zhvillimit të saj. Plani i ri pesëvjeçar nuk përmend vështirësi në marrëdhëniet me shtetet e Fuqitë e tjera të Globit. Nuk parashikon vështirësi në marrëdhëniet e Kinës me asnjë prej vendeve në Azi, Europë ose Amerikë apo gjetkë. Është një plan që bazohet në resurset e vetë Kinës për zhvillim e përparim të vazhdueshëm.

Një robot vrapon përkrah njerëzve në Gjysmëmaratonën Yizhuang të Pekinit dhe Gjysmëmaratonën e Robotëve Humanoide në Pekin, 19 prill 2025./ Foto nga VCG

E gjitha kjo ndodh për shkak të zhvillimit ekonomik, në teknologji dhe Inteligjencën Artificiale të saj. Për shumë vite, Kina ka ndjekur një kurs politik, ekonomik e tregtar në sulm, sa i përket shtrirjes dhe thellimit të zhvillimeve industriale, teknologjike, energjetike dhe sektorë të tjerë. Është i vetmi vend në glob me 1.4 miliard banorë, që ka ndryshuar ekuilibrat në raportet ekonomike me botën, si dhe në luftën kundër varfërisë dhe ka aplikuar teknologjinë më të lartë në shërbimet publike. Vendi është i hapur sipas parimeve të ekonomisë së tregut me tregun ndërkombëtar. Sot SHBA-të dhe vendet e tjera të industrializuara, aq sa janë Fuqitë ekonomike të botës ndjejnë nevojën e domosdoshme për bashkëpunim me Kinën.

Dy karakteristikat themelore të zhvillimeve të sotme dhe atyre që parashikohen në vitet e ardhshme janë civilizimi dhe modernizimi kinez. Dhe nëse Kina do të vazhdojë të ruajë ritmet e sotme të zhvillimit dhe rritjes ekonomike, të mirëqenies e teknologjisë, atëherë ajo me shumë mundësi do ta realizojë objektivin e saj për të qenë një vend me civilizim dhe modernizim të qëndrueshëm.

Thjesht disa shifra të asaj çfarë është arritur deri më sot janë këto:

Nga viti 1980 e deri më sot Republika Popullore e Kinës ka shënuar çdo vit rritje të konsiderueshme të produktit të përgjithshëm bruto. Nga viti 1991 e deri në vitin 2018 rritja e këtij produkti ka shënuar mesatarisht 9-10 përqind. Pas goditjes së Covid-19, Kina shënoi sërishmi ritme rritjeje si në vitet e mëparshme. Dhe nga ana tjetër duhet thënë se si rezultat i politikave ekonomike të zhvillimit, Republika Popullore e Kinës nuk u përfshi në krizat e ekonomive të mëdha në botë gjatë viteve 2007-2011. Ndikimet e kësaj krize ishin minimale. Qëndrueshmëria ekonomike dhe zhvillimi teknologjik vazhduan në këtë vend gjatë gjithë periudhës. Në rankingun botëror Kina është që prej vitit 2010 vendi i dytë në botë sa i përket GDP-së. Dhe prej atij viti rritet vazhdimisht. Në vitin 2025 Produkti i Përgjithshëm Shoqëror ishte në SHBA 30,6 trilionë dollarë, në Kinë 19.4 trilionë, në Gjermani 5.0 trilionë dhe në Japoni 4.2 trilionë dollarë amerikanë. Këto janë edhe katër vendet me GDP-në më të lartë në botë.

Kur Kina u pranua në Organizatën Botërore të Tregtisë, më 2001, ajo prodhonte vetëm 7 përqind të Produktit të Përgjithshëm Shoqëror të botës. Në vitin 2025 prodhoi 20 përqind të këtij produkti. Ndërkohë tërheq vëmendjen në zhvillimin e gjigandit kinez ajo që lidhet me strukturën e zhvillimit. Balanca është impresionuese. Në strukturën e ekonomisë kineze zënë vend të gjithë sektorët dhe degët, bujqësia, industria, teknologjia, energjetika, transporti, ndërtimi etj. Kina është tashmë një vend i zhvilluar industrial. Ajo zë plot 1/3 në zhvillimin e përgjithshëm të vendit, 33,1 përqind. Po t’i shtojmë teknologjinë e lartë të kësaj industrie, atëherë merret me mend se sa i fuqishëm është ky vend në raport me pjesën tjetër të botës. Dinamika e zhvillimit ekonomik prej vitit 2010 e deri më sot është impresionuese. Është tashmë fakt i pranuar gjerësisht që Kina përbën surprizën më të madhe të zhvillimit ekonomik, industrial, bujqësor, energjetik dhe teknologjik në botë.

Pamje e vendit të ndërtimit të projektit të Autostradës Zhengzhou-LuoYang, në qytetin Luoyang, Provinca Henan e Kinës, shtator 2025. / Foto nga VCG

Gjithçka ka ndodhur ka një shkak të vetëm – reformat e hapjes me ekonominë globale, respektimi i rregullave dhe ligjeve të ekonomisë së tregut global, qasja e ekuilibruar dhe e balancuar në tregjet e huaja. Por jo vetëm kaq. Karakteristika themelore është durimi dhe përkushtimi për zhvillim, si dhe shfrytëzimi i resurseve që ajo ka. Të gjitha këto e kanë shndërruar Kinën në një superfuqi në fushën e ekonomisë, tregtisë, investimeve jashtë dhe brenda vendit, si dhe në teknologji.

Në vijim të këtyre shifrave, edhe plani i 15-të pesëvjeçar i Kinës (2026–2030) parashikon një zhvillim të fokusuar në inovacion, teknologji të lartë, energji të rinovueshme dhe industrinë e gjelbër, duke e pozicionuar vendin si një motor kyç i rritjes ekonomike globale. Ky plan synon të zgjerojë edhe më tej rrjetin e bashkëpunimeve ndërkombëtare, përfshirë investime dhe tregti me Europën dhe Ballkanin, ku Shqipëria mund të përfitojë nga mundësi të reja në fushat e energjisë, infrastrukturës dhe teknologjisë. Strategjia kineze për bashkëpunim ekonomik bazohet në ndërtimin e lidhjeve të qëndrueshme dhe reciproke, duke ofruar investime direkte, projekte infrastrukturore dhe partneritete teknologjike që mund të përshpejtojnë zhvillimin ekonomik në vendet partnere. Për Europën, kjo nënkupton një mundësi për diversifikimin e tregtisë dhe investimeve, duke u lidhur me një nga ekonomitë më dinamike të botës. Në një perspektivë globale, zbatimi i këtij plani pritet të rrisë ndikimin e Kinës në ekonominë botërore, duke e bërë atë një partner të domosdoshëm për vendet e G7-ës dhe një aktor kyç në vendimmarrjet për tregtinë, teknologjinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë globale.

Tashmë Kina është aq e fuqishme dhe me ndikim aq të fortë në ekonominë botërore, sa asnjë vend nuk mundet ta detyrojë të veprojë nën diktatin e tij, shkruante para pak kohësh revista britanike “The Economist”!.

Ndërtesa e terminalit të Aeroportit Ndërkombëtar të Pekinit shihet në të njëjtën kornizë me horizontin e qendrës qendrore të qytetit, Pekin, shtator 2025. / Foto nga VCG

Në përfundim, Republika Popullore e Kinës nuk është më vetëm një ekonomi në rritje, por një aktor strategjik global me ndikim të thellë në tregjet, teknologjinë dhe investimet ndërkombëtare. Me Planin e 15-të pesëvjeçar, Kina synon të forcojë pozicionin e saj si motor i inovacionit dhe zhvillimit të qëndrueshëm, duke krijuar mundësi bashkëpunimi edhe për vendet e Evropës dhe Ballkanit, përfshirë Shqipërinë. Në këtë mënyrë, Kina nuk garanton vetëm stabilitet dhe rritje brenda vendit, por edhe një ekuilibër të ri në ekonominë botërore, duke u shndërruar në një partner të domosdoshëm për çdo vend që kërkon të integrohet në rrjetin e avancuar global të tregtisë, teknologjisë dhe investimeve. Qëndrueshmëria, inovacioni dhe vizioni i Kinës e bëjnë atë jo vetëm një superfuqi ekonomike, por edhe një model të mundshëm për zhvillimin e qëndrueshëm në shekullin XXI.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat