back to top
27.5 C
Tirana
E premte, 17 Prill, 2026
spot_img
KreuAktualitetPolitika“Partia po kthehet në një strukturë fosile”/ Spiropali denoncon presionet dhe sulmet...

“Partia po kthehet në një strukturë fosile”/ Spiropali denoncon presionet dhe sulmet në PS

Deputetja e Partisë Socialiste, Elisa Spiropali, ka reaguar me një deklaratë të gjatë dhe të fortë në rrjetet sociale, ku denoncon atë që e cilëson si një model të deformuar funksionimi brenda institucioneve dhe vetë PS-së, ndërsa zbulon se është këshilluar të qëndrojë në heshtje.

Në reagimin e saj, Spiropali shprehet se e kupton këtë këshillë si “praktike”, por thekson se nuk mund të zgjedhë heshtjen përballë një realiteti që sipas saj është ndërtuar mbi presion, kontroll dhe deformim institucional.

Ajo nënvizon se çështja nuk lidhet me individë të caktuar, konflikte personale apo edhe me një votim në Kuvend – një referencë që duket të lidhet me mungesën e saj në seancën për imunitetin e Belinda Ballukut – por me një model më të gjerë që, sipas saj, po dëmton funksionimin normal të shtetit.

Spiropali akuzon se institucionet publike po përdoren si instrumente presioni dhe jo si hapësira vendimmarrjeje, ndërsa vendimet, sipas saj, nuk merren më në mënyrë kolegjiale, por nga pak individë me ndikim.

Në deklaratë, ajo shkon më tej duke përshkruar një realitet ku administrata detyrohet të zbatojë urdhra të paligjshëm dhe ku ligji interpretohet sipas interesave të momentit. Sipas saj, kjo ka krijuar një klimë ku çdo biznes, media apo qytetar përballet me një “makineri” që mund të përdoret kundër tyre.

Deputetja socialiste flet edhe për sulme që i cilëson si të orkestruara nga struktura shtetërore, të cilat sipas saj kanë shkuar deri te familjarët, duke theksuar se “kufijtë janë tejkaluar”.

Një pjesë e rëndësishme e reagimit i kushtohet edhe zhvillimeve të brendshme në Partinë Socialiste, ku Spiropali shprehet se një “parti e gjallë” po zëvendësohet nga një “strukturë fosile”, ndërsa ajo që e quan “drejtorokraci” ka zëvendësuar politikën me administrim besnikërie.

Ajo thekson se ky nuk është modeli mbi të cilin është ndërtuar Partia Socialiste dhe as ai që i ka dhënë legjitimitet ndër vite.

Megjithatë, Spiropali e bën të qartë se nuk ka frikë nga sulmet dhe se qëndrimi i saj nuk është personal, por një detyrim për të kërkuar përmirësim të mënyrës së funksionimit të institucioneve dhe politikës.

Në fund të reagimit, ajo shpreh bindjen se Partia Socialiste ka ende energjinë për t’u përmirësuar dhe transformuar në të mirë të vendit.

Deklarata e plotë e Elisa Spiropalit:

“Po më këshillojnë të hesht. Me të njëjtën mënyrë që përdoret në këto raste: rri rehat, mos bëj zë, do të të vërsulen, nuk ia del dot.

E kuptoj këtë ‘këshillë’. Është praktike. Madje edhe e mençur në një kuptim të ngushtë, mediokër, meskin. Por është pikërisht kjo lloj ‘mençurie’ që ka ndërtuar klimën ku ndodhemi sot.

Problemi nuk është një individ, një konflikt, një mosvotim në Kuvend, apo një keqkuptim brenda pushtetit.

Problemi është një model që është instaluar gradualisht dhe që sot funksionon pothuajse pa pengesa. Një model ku institucionet nuk janë më hapësira vendimmarrjeje, por instrumente presioni. Ku vendimet nuk merren bashkarisht, por veç. Ku ligji interpretohet sipas nevojës së momentit, dhe jo sipas parimit vizionar.

E kam parë nga afër këtë transformim. Nuk është diçka që ndodh me një vendim të vetëm. Ndodh me tolerime të vogla, me heshtje të arsyetuara, me ndërhyrje që fillimisht duken të padëmshme dhe më pas kthehen në të rëndësishme, deri vendimtare.

Vjen koha kur në një moment, institucionet fillojnë të funksionojnë si zgjatime të vullnetit të pak njerëzve. Disa ministri dhe agjensi shtetërore nuk reagojnë më ndaj ligjit dhe detyrës, por ndaj urdhrit. Nuk i përgjigjen procedurës, por klanit. Dhe në këtë pikë, çdo biznes, çdo media, çdo individ e kupton se nuk është më përballë një shteti, por përballë një makinerie të pashpirt që mund të përdoret kundër tij.

Nëse këto mekanizma përdoren edhe ndaj atyre që kanë mbrojtje publike, me detyra të larta shtetërore, çfarë ndodh me ata që nuk kanë asnjë zë?

Kur struktura shtetërore të emëruara, të promovuara dhe të kontrolluara nga e njëjta dorë, tashmë jo formale, të paraprira nga portale të paguara me para të errëta, fillojnë të sulmojnë në mënyrë brutale deri edhe familjarë, në punë të tyre, atëherë kuptohet qartë se kufijtë janë tejkaluar, dhe se nuk bëhet më fjalë për politikë.

Nuk kam asgjë për të fshehur. Pikërisht për këtë arsye, këto sulme nuk më trembin. Përkundrazi, më bëjnë edhe më të qartë për atë që duhet thënë e duhet bërë.

Këtë model kam refuzuar dhe refuzoj. Ky është modeli që nuk duhet të jetë pjesë e Partisë Socialiste: Refuzimi i realitetit ku institucione publike me fytyrë personale përdoren si hanxharë për të frikësuar, dhe ku mbajtja e ndikimit nuk kërkon performancë, por kontroll. Ku pjesa e ndershme e administratës detyrohet të zbatojë deri urdhëra të paligjshëm për interesa dhe presione eprorësh të dhunshëm dhe fuqiplotë.

Dhe paralelisht me këtë, është ndërtuar një tjetër deformim i brendshëm. Një parti e gjallë, po zëvendësohet nga një strukturë fosile ku gjithçka filtrohet përmes emërimeve okulte. ‘Drejtorokracia’ është kthyer në mënyrë funksionimi. Ka zëvendësuar politikën me administrim besnikërie.

Kjo nuk është ajo për të cilën është ndërtuar Partia Socialiste. Nuk është as modeli që i ka dhënë legjitimitet pushtetit të saj ndër vite.

Për këtë arsye, kjo nuk mund të trajtohet si një çështje personale. Nuk është një përplasje me dikë. Është një mospajtim me një mënyrë funksionimi që po bëhet normë.

Nuk kam frikë nga sulmet. Kam jetuar e jetoj ndër rreshtat e pavdekshëm lasgushianë;

‘Shpirtkatran që më qërtojnë, janë qën’ që s’më kafshojnë.’

Jo se jam e paprekshme, por sepse nëse do të kisha frikë, do ta kisha zgjedhur heshtjen shumë më herët. Heshtja është gjithmonë opsioni më i lehtë në këto situata.

Halli është se ky model nuk prodhon vetëm padrejtësi. Ai prodhon largim. Largon njerëzit nga politika, nga besimi, nga vetja, nga vendi. E bën jetën të vështirë, jo për shkak të mungesës së mundësive, por për shkak të kontrollit mbi to.

Dhe nëse kjo vazhdon, nuk do të kemi më një debat politik për mënyrën si qeveriset vendi, por një mungesë të vrazhdë, të shëmtuar dhe deformuese të llogaridhënies institucionale.

Për mua kjo nuk është një çështje thjesht personale. Është një detyrim për të thënë se shumçka duhet ta bëjmë më mirë. Jo unë, por Koha e kërkon.

Ndarja e rëndësishme që duhet bërë qartë nuk është mes njerëzve. Është mes sektorëve funksionues shtetërorë, dhe strukturave abuzive personale.

Partia Socialiste e ka pasur dhe e ka energjinë e nevojshme për përmirësime dhe transformim në dobi të Shqipërisë dhe të shqiptarëve.”

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat