back to top
17.5 C
Tirana
E mërkurë, 22 Prill, 2026
spot_img
KreuAktualitetBerisha-deputetëve: Të përgatitemi për kryengritjen më të fuqishme në historinë e Shqipërisë

Berisha-deputetëve: Të përgatitemi për kryengritjen më të fuqishme në historinë e Shqipërisë

Kreu i PD, Sali Berisha ka mbajtur një deklaratë të fortë politike, ku ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për mbylljen e çështjeve të lidhura me ish-zëvendësen e tij, Belinda Balluku, si dhe për, sipas tij, pengim të drejtësisë dhe kapje të institucioneve.

Berisha u shpreh se “Rama e mbylli dosjen e tij me Ballukun”, duke pretenduar se bëhet fjalë për afera të mëdha financiare që sipas tij kapin vlera të larta. Ai deklaroi se, pas tre muajsh, kryeministri “i mbylli dyert përfundimisht organit të akuzës” dhe se ka ndikuar në zhvillimet që lidhen me hetimet, duke shtuar se edhe prokuroria është vendosur nën presion politik.

Sipas tij, pavarësisht kërkesave të disa vendeve të Bashkimit Europian që organet e drejtësisë të funksionojnë të pavarura, Rama ka vijuar, siç tha ai, me veprime që cenojnë shtetin ligjor.

“Edi Rama mendoi se mbylli aferat që i kanë kushtuar dhe u kushtojnë miliarda qytetarëve shqiptarë. Dhe e vërteta është, duhet të pranojmë, pas tre muajsh ai i mbylli dyert përfundimisht organit të akuzës dhe e mbylli dosjen e tij me Ballukun”, deklaroi Berisha.

Ai akuzoi më tej kryeministrin se “e nxori veten mbi ligjin” dhe se nuk pyet më për Kushtetutë, drejtësi apo partnerët ndërkombëtarë, duke shtuar se, sipas tij, nuk respektohen më parimet e shtetit ligjor dhe barazisë para ligjit.

Berisha theksoi se në këto kushte, protesta është e vetmja rrugë për të ndalur atë që ai e cilësoi si “dhunë shtazore” dhe “akt antikushtetues”. Ai u bëri thirrje mbështetësve të tij që të përgatiten për atë që e quajti “kryengritjen më të fuqishme që ka njohur Shqipëria”.

“Duhet të ngrihemi në emër të të gjithë atyre shqiptarëve që nuk ngrihen dot nga frika. Historia e bëjnë guximtarët. Ndaj dhe kryengritja tjetër duhet të jetë më fuqishmja që ka njohur Shqipëria”, u shpreh ai.

Sipas Berishës, pas mbledhjes së fundit do të nisin menjëherë përgatitjet për protestën e radhës, data e së cilës, tha ai, do të bëhet publike së shpejti. Ai deklaroi se “nuk kanë të ndalur” dhe se “nuk i mposht askush”.

Në vijim të deklaratës së tij, Berisha u ndal edhe te procesi i integrimit europian të Shqipërisë, duke e cilësuar atë si një moment kritik për vendin. Ai tha se disa vende të BE-së kanë kundërshtuar, sipas tij, atë që e quajti “akt antikushtetues” dhe kanë kërkuar funksionim të pavarur të drejtësisë.

Berisha falënderoi këto vende, duke theksuar se, sipas tij, Shqipëria nuk mund të ketë të ardhme pa luftë kundër korrupsionit dhe pa shtet ligjor funksional.

Ai rikonfirmoi se Partia Demokratike e ka integrimin në Bashkimin Europian si objektiv kryesor dhe se ka qenë “lokomotivë e këtij procesi”. Megjithatë, ai shtoi se PD mbështet një proces të bazuar në meritë dhe jo në “lobim korruptiv”.

“Ne jemi për një proces të bazuar në meritë, që i bën qytetarët shqiptarë më të lirë, më të sigurt dhe më të mëkëmbur”, tha Berisha.

Në fund të deklaratës së tij, ai akuzoi kryeministrin Rama për, sipas tij, “praktika lobiste mafioze” në procesin e integrimit dhe për “hermetizëm të turpshëm”, duke e cilësuar procesin si të kapur nga interesat personale dhe jo publike.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat