Dosja e SPAK mbi korrupsionin me tenderat e AKSH po nxjerr në pah pasuritë e konsiderueshme të biznesmenit Ermal Beqiri.
Sipas hetimeve, përfituesi i fondeve publike ka investuar shuma të mëdha në pasuri të paluajtshme, duke blerë prona nga figura të njohura të biznesit në vend.
Dokumentet e SPAK tregojnë se në prill 2023, Beqiri ka blerë një pronë me vlerë rreth 2.2 milionë euro. Prona përfshin një truall prej 967 m² dhe një ndërtesë 212 m², e blerë nga bashkëshortët Vesel dhe Rezarta Demiraj, të njohur si pronarë të kompanisë “Pelikani Security”.
Familja Demiraj ishte gjithashtu në qendër të vëmendjes publike vitin e kaluar, pas një sulmi me armë ndaj automjetit ku ndodhej djali i tyre i mitur.
Ndërkohë, SPAK ka vendosur në sekuestro edhe një apartament në zonën e Golemit, i cili ishte blerë nga Fatos Çerenishti, pronari i “FAFA Resort”.
Këto transaksione po hedhin dritë mbi mënyrën se si fondet e përfituara nga tenderat publikë janë shndërruar në pasuri luksoze në disa nga zonat më të kërkuara të vendit.



